Statusi, Bushati: Presim një vendim unanim politik. Ministri bullgar: S’ka më arsye të shtyhet

Postuar në 22 Nëntor, 2013 10:50

Ministri i Jashtëm bullgar, Kristian Vigenin, i ndodhur në Tiranë për një vizitë zyrtare, beson se nuk ka asnjë arsye që në dhjetor Shqipëria të mos marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun shqiptar, diplomati bullgar është shprehur se beson se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kërkesat apo standartet që janë kërkuar nga Komisioni Evropian për Shqipërinë.

“Unë shoh me kënaqësi një qeveri shumë dinamike dhe shumë të përkushtuar, e cila po punon në mënyrë aktive për agjendën evropiane të vendit. Ne besojmë që nuk ka më kurrfarë arsyeje pse të shtyhet vendimi për dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë , ndaj kjo është arsyeja pse unë kam bërë thirrje për këtë, por edhe që Bullgaria do të vazhdojë të punojë që pikërisht Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat në Këshillin e Ministrave të Jashtëm në Dhjetor të këtij viti. Tashmë disa fjalë për sa i përket faktit që ne të gjithë, gjithë vendet e rajonit duhet të punojmë për sa i përket sigurisë, stabilitetit, por edhe begatisë për të gjithë rajonin dhe ne kemi opinione, të cilat i ndajmë të gjithë bashkë për sa i përket kësaj të ardhmeje dhe një të ardhmeje të përbashkët në Bashkimin Evropian të të gjithë rajonit, por edhe të një begatie të mëtejshme shoqërore dhe ekonomike të të gjitha vendeve të rajonit”, u shpreh ministri Vigenin.

Ndërkohë ministri i jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati është shprehur optimist për një vendim unanim politik nga vendet e BE-së që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat. “Çdo qëndrim, për sa i përket Shqipërisë, do të duhet të ishte një qëndrim inkurajues për stadin e reformave, për procesin politik që ka nisur në Shqipëri pas zgjedhjeve parlamentare të 23 Qershorit dhe gjithashtu një vendim, i cili do t’i jepte një nxitje të mëtejshme zhvillimeve pozitive në rajon”, u shpreh Bushati.

I pyetur rreth skeptizmin që ka treguar Holanda, Bushati ka deklaruar se: “Jemi në kontakte të vazhdueshme me autoritetet holandeze. Jemi shumë të njohur nga qëndrimi i Holandës, i cili nuk është thjesht një qëndrim ndaj Shqipërisë, por është një qëndrim konstant në procesin e zgjerimit, për sa i përket rreptësisë së ndershme, me të cilin Holanda sheh zhvillimet në këtë proces. Më lejoni t’ju them që nga kontaktet e përditshme, nuk ka ende një vendim të qeverisë holandeze në lidhje me propozimin e Komisionit Evropian për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Është bërë vetëm prezantimi paraprak i raportit të Komisionit, shoqëruar me një relacion shpjegues të ministrit Timmermans. Parlamenti holandez do të flasë për këtë çështje, sikundër Qeveria holandeze do të flasë për këtë çështje”.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.