Statusi, Basha: Skeptikët duhen bindur me vepra, jo me fjalë

Kryetari i PD-së Lulzim Basha thotë se vendet skeptike të BE-së për statusin kandidat të Shqipërisë duhen bindur me vepra dhe jo me fjalë. Ai akuzoi sot mazhorancën për mungesë përgjegjshmërie në raport me procesin e integrimit evropian të vendit. Basha I bëri komentet gjatë një bashkëbisedimi me studentë të Universitetit Ndërkombëtar të Tiranës. “KE e ka rekomanduar statusin, kur Shqipëria kishte progres, përparim në fushat kryesore, finalizoi me sukses zgjedhjet, rotacionin paqësor të pushtetit dhe një qeveri e re nisi nga puna. Në këto muaj kemi parë një serë ngjarjesh që na kanë vënë në mendime. Prishjen e konsensusit për ligjin e nëpunësit civil, përkundër paralajmërimeve tona se ky hap do të dëmtonte procesin e integrimit evropian të vendit. Jo vetëm që nuk u dëgjuam, por mazhoranca vazhdoi demonstrimin e forcës së numrave. Kjo është e papranueshme për Bashkimin Evropian. Shteti ligjor, demokracia, ku për fat të keq testi i parë i kësaj mazhorance u njollos nga shitblerja e votës në Korçë, pushimet në administratë si dhe një sërë aktesh si ligjore apo nënligjore dhe veprime në terren që bien në kundërshtim me shtetin ligjor dhe demokracinë padyshim janë parë me shqetësim nga vende të BE-së”- u shpreh Basha.
Sipas liderit të opozitës, për të bindur shtetet që kanë dyshime “nuk mjafton të çohen 3 ministra në Paris, kur fjalët nuk përputhen me veprat është vështirë ti bindësh. Reflektimi duhet nisur nga vetja dhe jo të shikojmë armiq të jashtëm.”
Deri më tani Hollanda është shprehur kundër, por ka dhe disa vende të tjera të pavendosura dhe kjo ka shtuar pikpyetjet nëse do ta marrim statusin këtë dhjetor.
Mapo
Add new comment