S&P zhvlerëson borxhin e Shqipërisë

Postuar në 06 Dhjetor, 2013 17:31

Rritja e borxhit në nivele rekord, tashmë ka goditur zyrtarisht besueshmërinë e Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare të kapitalit. 

“Standard and Poor’s”, gjiganti i njohur ndërkombëtar i financave, njoftoi se ka zhvlerësuar borxhin e qeverisë shqiptare nga B plus, në B, një lëvizje që pasqyron qartazi rrezikun e lartë të financave publike.

Kompania deklaroi se zhvlerësimi vjen pas rritjes së fortë dhe të pa paralajmëruar të borxhit publik, i cili pritet që në fund të vitit të arrijë në 67 për qind e prodhimit kombëtar, nga 58 për qind që vlerësohej më parë.
 

“Standard and Poor’s” thotë se pjesa më e madhe e këtij devijimi i dedikohet njohjes nga Deloitte, së fundmi, të detyrimeve të prapambetura që qeveria ka ndaj biznesit, të cilat - sipas saj - arrijnë në 4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Vlerësimi negativ - vëren kompania, - reflekton edhe rrezikun, që Shqipëria mund të ndeshë në rinovimin e borxhit ekzistues në tregjet e huaja.

“Standard and Poor’s” vlerëson se financat publike të Shqipërisë u përkeqësuan ndjeshëm gjatë këtij viti, veçanërisht për shkak të politikës së ndjekur nga qeveria e kaluar, para zgjedhjeve, që e çoi defiçitin fiskal për këtë vit në 6,5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Gjiganti ndërkombëtar i financave e bën të qartë se, kjo rritje e defiçitit erdhi për shkak të vendimeve të lidhura me ciklin elektoral, pra përdorimin e buxhetit për zgjedhje nga qeveria e kaluar.

Zhvlerësimi i borxhit publik të Shqipërisë është një shuplakë e fortë për ekonominë shqiptare, në sytë e investitorëve të huaj, dhe pasqyron rritjen e rreziqeve financiare në vend, që mund të kenë pasoja të forta, veçanërisht tani që po afrohet edhe rinovimi i Eurobondit.

 

 

Top Channel

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.