Skandali i rimbursimit të TVSH-së/ Paditen tetë zyrtarë të tatimeve

Postuar në 24 Tetor, 2013 03:08

Ministria e Financave ka dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës kallëzimin penal për tetë zyrtarë të lartë të administratës tatimore, mes tyre edhe dy ish- drejtues, si dhe 11 kompani.

Mes punonjësve të nivelit zbatues që u kallëzuan janë edhe dy zyrtarë të nivelit drejtues, ish-drejtori i Tatimeve Tiranë, Ismail Muçaj dhe ish-drejtuesi i Hetimit Tatimor.

Zyrtarët u kallëzuan pas skandalit të rimbursimit të TVSH-së për kompani fantazma.

“Ministria e Financave filloi të veprojë menjëherë pas sinjaleve të para nga auditi për procedurat e rimbursimit të TVSH-së. Në ditën e parë të auditit janë konstatuar shkelje të rënda në fushën e zbatimit të legjislacionit tatimor për procedurat e rimbursimit të TVSH-së, në 11 raste me pasojë vjedhjen e pasurisë shtetërore në shuma të mëdha, në të cilën janë përfshirë disa persona punonjës të administratës tatimore rajonale të Tiranës.

Faktet dhe elementët e zbuluar plotësojnë elementët e veprës penale “vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, vepër kjo e kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga neni 135 si dhe nenet 25 dhe 26 të Kodit Penal.

Shuma e vjedhjes së shkaktuar është 515.455.275 lekë dhe në të janë përfshirë ish- drejtori Rajonal Tatimor i Tiranës, ish- drejtoresha e Kontrollit Tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë, dy ish- përgjegjës të Sektorit të Kontrollit Tatimor në këtë drejtori si dhe tre inspektorë kontrolli. Për të gjithë këta është kryer pezullimi nga detyra.

Gjithashtu në këtë vepër janë bashkëveprues dy persona, përfaqësues ligjorë të 11 kompanive private, të cilat pas përfitimit të rimbursimeve, kanë kryer procedurat e çregjistrimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.

Auditi nisi me kërkesë të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve për të audituar procedurat e rimbursimit të TVSH-së në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë për periudhën qershor – tetor 2013.

Për të gjithë personat e sipërpërmendur ditën e hënë datë 21 tetor 2013 është bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Tiranë,” thuhet në një njoftim të Ministrisë së Financave.

Tema

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.