Shqiptaro-amerikanët mbështesin fushatën e Obamës

Postuar në 23 Shtator, 2012 06:01

Në Nju Jork, një grup shqiptaro-amerikanësh të njohur të komunitetit shprehën mbështetjen e tyre për rizgjedhjen e presidentit Barack Obama. Në këtë grup përfshihet edhe ligjvënësi Eliot Engel. Ata bënë thirrje që edhe shqiptarë të tjerë të mbështesin rizgjedhjen e Presidentit Obama. Ilir Zherka, i cili deri tani ka drejtuar organizatën DC Vote në Uashington, tha se Presidenti Barack Obama është përpjekur për të shpëtuar ekonominë dhe për të ringjallur ëndrrën amerikane, por i ka dhënë përkrahje edhe shqiptarëve në Ballkan. “Të gjithë ne këtu jemi shqiptaro-amerikanë dhe si shqiptarë ne përkrahim presidentin Obama për mbështetjen e tij të forte ndaj shqiptarëve në Ballkan, në Kosovë dhe në Shqipëri.’- deklaroi Zherka. 

Studiuesi Sami Repishti tha se Presidenti Obama ka një politikë të jashtme në interes të paqes dhe të sigurisë nga e cila mund të përfitojnë edhe shqiptarët. “S’kam asnjë dyshim se veprimtaria e grupit që drejton politikën e jashtme në SHBA, janë në gjendje të bëjnë një politikë të jashtme që siguron paqen në botë dhe të mira për vendin tone, për Shqipërinë dhe Kosovën.” - tha Repishti. Ken Biberaj, kandidat për këshillin e qytetit të Nju Jorkut, tha se shqiptarët si komunitet duhet të kuptojnë se SHBA i ka dhënë shumë Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe po ashtu Presidenti Obama i ka mbështetur të drejtat e tyre. "Do t’i inkurajoja të gjithë shqiptarët që jo vetëm të votojnë për Presidentin Obama por edhe të japin kontribute me fonde, të bindin edhe miqtë dhe familjarët e tyre që të mbështesin presidentin Obama." - tha zoti Biberaj. Aktiviteti u organizua në zyrën e fushatës së zotit Obama në Nju Jork. 

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.