Shqetësim global për krizën financiare në Europë

Shqetësim botëror ka shkaktuar kriza në zonën e euros, e cila tashmë kalon nga Greqia në Spanjë, vendi me ekonominë e katërt më të madhe në eurozonë. Ministri spanjoll i Financave pranoi se vendi i tij tani është jashtë tregjeve financiare, por Madridi vendosmërisht refuzon të futet në mekanizmin e shpëtimit dhe kërkon financim të drejtpërdrejtë evropian të bankave të tij. Me një ton dramatik, kryeministri i Spanjës Mariano Rajoy i bëri thirrje BE për të ndërmarrë një veprim vendimtar, i cili do të mbrojë nga shkatërrimi vendet që përballen me probleme ekonomike. «Evropa duhet të jetë e qartë se në cilin drejtim shkon për të siguruar unitetin e saj, duhet t'ë thotë qartë se euro është një projekt i pakthyeshëm, që nuk është në rrezik. Evropa duhet të mbështesë vendet në vështirësi», theksoi ai në Senatin spanjoll.
Përshkallëzimi i krizës ka provokuar një telekonferencë të jashtëzakonshme të G7, Grupit të 7 vendeve më të zhvilluara të botës. Gjatë telekonferencës së jashtëzakonshme, ministrat e financave të G7 u pajtuan, që të punojnë së bashku për të përballuar problemet e Spanjës dhe Greqisë, por nuk bënë një propozim të veçantë. Sipas informacioneve, bisedimet kishin qenë një presion i madh ndaj Gjermanisë, për të ndihmuar zhvillimin në eurozonë. Telekonferenca vjen pas publikimit të lajmit se aktiviteti ekonomik në eurozonë ishte në rënie, përfshi këtu edhe Gjermaninë.
SHBA, që kryeson këtë vit G7, iu bëri thirrje evropianëve për të marrë «masa të tjera», për të zgjidhur krizën, sepse «tregjet vazhdojnë të mbeten skeptikë». Shtetet e Bashkuara thanë se është një sfidë e madhe për Europën që të menaxhojë me sukses krizën e borxhit të saj dhe presin të shohin se ajo do të lëvizë drejt një bashkimi më të sigurtë financiar dhe ekonomik.
Megjithatë, Berlini vazhdon për të mbrojtur kursimin si mënyrën e vetme për zonën e euros, siç duket edhe nga një intervistë e fundit e ministrit gjerman të Financave, Wolfgang Schäuble në Handelsblatt, i cili thotë: Nuk ka asnjë mënyrë të lehtë për Greqinë apo Spanjën. Vendet e prekura nuk mund t’iu shmangen reformave për të rifituar konkurrencën e tyre. Spanja ka bërë çdo gjë saktë, por ajo vuan nga efektet e krizës në Greqi.
Bisedimet mbaruan pa një qëndrim zyrtar, por ministri japonez i financave u zotua për një përgjigje të shpejtë ndaj krizës. Telekonferenca u mbajt pak ditë pasi presidenti amerikan, Barack Obama fajësoi Europën për rritjen e dobët ekonomike që kishte shënuar SHBA. Me shqetësimet në rritjen për ekonominë spanjolle, ka spekulime se Europa mbetet e ndarë mbi rrugën që do të ndjekë, sidomos nëse do të hedhin në treg bono të përbashkëta për të lehtësuar kostot e marrjes së borxhit.
Ballkanweb.com
Add new comment