Shpërblimet, stafi në gjyq me Kuvendin dhe KLSH-në

Postuar në 07 Nëntor, 2013 03:44

-Morën shpërblim për lejen e pakryer, tani 15 punonjësve, me një vendim të Kuvendit, u kërkohet ta kthejnë sërish. Kjo i ka detyruar pjesëtarët e stafit të Topallit që të padisin Kuvendin dhe KLSH-në. Në datën 31 tetor mbi 15 punonjës aktualë të Kuvendit, por edhe ata që kanë qenë në marrëdhënie pune me këtë institucion deri në vitin 2010, kanë kundërshtuar vendimin për kthimin e shpërblimeve mbrapsht. Mësohet se punonjësit kërkojnë anulimin e vendimit të Kuvendit që i detyron ata që të kthejnë sërish në arkë shpërblimet të cilat i kanë marrë gjatë vitit 2010, për orët jashtë orarit apo për ditët e pushimeve që nuk i kanë kryer. Në objektin e padisë së tyre të depozituar në gjykatë kërkohet: “Anulimi i aktit të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit datë 1 tetor 2013 ‘Në zbatim të planit të masave', anulimin e pjesshëm të raportit përfundimtar të datës 6 shtator 2013 të Kontrollit të Lartë të Shtetit, përsa i përket pikës për kthimin në buxhetin e njësisë shpenzuese si shpenzim në paga në shumën 875089 lekë sipas detyrimeve të përcaktuara për secilin paditës”. Agim Caka, Diana Troshani, Elion Meko, Erion Meta, Ermira Kopliku, Jak Gjoni, Lefterie Lleshi, Lulzim Lelcaj, Malton Dibra , Manushaqe Bakalli, Marlind Myftiu, Migena Bakalli, Ricard Marku, Stefan Lika, Zmijan Velija janë disa prej punonjësve që kanë paditur Kuvendin dhe KLSH-në. Burime nga Kuvendi bëjnë të ditur se në vitin 2010 një pjesë e këtyre punonjësve nuk kanë bërë pushimet, të cilat u janë konvertuar në shpërblim. Shuma e shpërblimit është e ndryshme në varësi të pozicionit të punës dhe të ditëve. Por pas një auditimi të kryer brenda Kuvendit për kohën që ka qenë ende kryetare Jozefina Topalli, është propozuar që këta punonjës duhet të kthejnë mbrapsht shpërblimet e marra si pasojë e moskryerjes së pushimeve. Audituesi i Kuvendit është bazuar në vendimin e qeverisë datë 2.7.2011, i cili ndalon dhënien e shpërblimeve për pushimet e pakryera. Pas saj, ka shkuar edhe një grup pune nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, të cilët duke parë edhe vendimin e auditimit të brendshëm të Kuvendit kanë lënë në fuqi kthimin e lekëve. Mbetet për t’u parë se cili do të jetë qëndrimi i Kuvendit pas ndryshimit të drejtuesve të këtij institucioni.

Vendimi i qeverisë për shpërblimet:

Për shkak të krizës ekonomike, më 2 korrik 2011, Këshilli i Ministrave “ndryshoi rregullat” mbi pagesën e pushimeve, si edhe anulimin e shpërblimeve”. Sipas VKM-së, në pikën “c” të këtij vendimi kërkohet kthimi i shpërblimeve, të cilat kanë dalë nga fondi i veçantë. “Çdo shpërblim i dhënë nga fondi i veçantë gjatë kësaj periudhe për rezultate të mira në punë, me përjashtim të rasteve kur ligji specifik parashikon ndryshe, të kthehet menjëherë në buxhetin e njësisë shpenzuese”, thuhet në pikën “c” të VKM-së. I njëjti vendim saktëson se si do të veprohet me orët jashtë orarit. “Orët e punës, të kryera mbi kohën normale të punës, për punonjësit e administratës, të konvertohen vetëm në orë/ditë pushimi, ndërsa për punonjësit, që marrin pjesë në shërbime operacionale dhe kur nuk është i mundur konvertimi i tyre në orë/ditë pushimi, të konvertohen me pagesë, në përputhje me aktet në fuqi”, citon kjo pikë. Referuar një tjetër pike të vendimit të qeverisë, ndalohet pagesa e ditëve të pushimit vjetor të punonjësve të administratës të pakryera në vitin 2010 nga buxheti i vitit 2011. “Në buxhetin e vitit 2011 nuk do të lejohet asnjë pagesë për ditët e pushimit vjetor të pakryer në vitin 2010. Çdo pagesë e kryer për këtë qëllim të kthehet në buxhetin e njësisë shpenzuese dhe ditët e pushimit vjetor të vitit 2010 të riskedulohen, duke vendosur kryerjen e këtyre pushimeve brenda vitit 2011”, thuhej në pikën “d” të vendimit.

Shekulli

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.