Shkup, persona të maskuar rrahin barbarisht 15 nxënës shqiptarë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, ku mësohet se 15 nxënës shqiptarë janë rrahur barbarisht.
Ngjarja ndodhi në autobusin që transportonte nxënësit e fshatit Çiflik, ku në automjet kanë hyrë 20 persona të maskuar.
Agjencitë maqedonase të lajmeve bëjnë me dije se 3 prej 15 nxënëseve ndodhen në gjendje të rëndë në spital.
Ende nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë për ngjarjen e rëndë.
Dhjetëra prindër u tubuan pranë Spitalit të Qytetit kundër dhunës së ushtruar ndaj fëmijëve të tyre. “Ne jemi tejmase të shqetësuar se çfarë po ndodh në këtë vend. Si mund të sulmohen fëmijët në mënyrë aq mizore dhe brutale. Ku janë policët që po promovohen se do të jenë tani në çdo cep të kryeqytetit. Kërkojmë urgjentisht zbardhjen e këtij incidenti dhe kapjen e autorëve”, theksuan prindërit e revoltuar.
Kjo ngjarje vjen menjëherë pas një tjetër episodi me karakter etnik në vendin fqinj, ku vetëm pak ditë më parë mbetën të vrarë dy shqiptarë, të cilët u qëlluan për vdekje nga policia maqedonase në qytetin e Gostivarit.
Ballkanweb.com
Add new comment