Shkollat profesionale, tani te Ministria e Mirëqenies Sociale

Postuar në 21 Tetor, 2013 03:59

Do ndryshojë skema e menaxhimit dhe kurrikulat arsimore. I ndjekin vetëm 14% e nxënësve, ishte premtuar të arrihej në 40%

Shkollat e mesme profesionale pritet t’i kalojnë në vartësi Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Për të rritur numrin e nxënësve që frekuentojnë këto shkolla e për një vizion të ri në funksionimin e tyre, është parë ky opsion si më i miri në menaxhimin e këtij profili arsimor. Deri tani profesionalet, pavarësisht fondeve të shtuara nga viti në vit, politikave dhe deklaratave të vazhdueshme si një prioritet i Ministrisë së Arsimit në thithjen e sa më shumë të rinjve, kanë qenë pak të preferuara. Një grup i përbashkët pune nga dy ministritë e linjës është duke përfunduar draftin përkatës, ndërkohë që pritet që ky kalim të bëhet brenda muajit dhjetor të këtij viti. Vitin që vjen, qeveria bën gati edhe kalimin e buxhetit respektiv, që deri sot i alokohej Ministrisë së Arsimit, për ta derdhur në “arkën” e Ministrisë së Mirëqenies Sociale.

Në draftin që pritet t’i paraqitet qeverisë për miratim, do të saktësohen edhe ndarjet e mënyra se si do të bashkërendohet puna mes dy ministrive për pagesat e mësuesve, personeli mbështetës, kompetencat e drejtuesit të shkollës dhe modalitete të tjera. Me miratimin e vendimit për kalimin institucional dhe përfundimtar të këtyre institucioneve i takon Ministrisë së Mirëqenies sociale të vendosë për politikat që do të ndjekë secila shkollë, nëse do të punojë me dy turne, nëse do të ketë shkolla që do të shesin produktet e veta. Ministria pritet të paraqesë deri në fund të këtij viti disa alternativa për funksionimin e këtyre shkollave me kapacitet të plotë me perspektivë për të ndryshuar sistemin në shkolla, duke përfshirë procesin e modernizimit dhe duke përmirësuar më tej “sektorin” e praktikës. 

Zbatimi i sistemit dual gjerman në shkollat profesionale është parë si më i miri deri tani. Sipas këtij sistemi, nxënësi apo studenti duhet të ndërthurë praktikën me teorinë; nëpërmjet partneriteteve me sektorin privat, nxënësve do t’u jepet mundësia që atë çka mësojnë në teori, ta zbatojnë në praktikë. Sipas të dhënave të INSTAT- it dhe MASH-it, në vitin 2004, në arsimin e përgjithshëm u regjistruan 82% e nxënësve dhe, në atë profesional, 18%. Ky raport nuk ndryshoi edhe në vitin 2011, vit kur, sipas MASH-it, rritet numri i nxënësve që frekuentojnë arsimin e mesëm, por zvogëlohet numri i të regjistruarve në arsimin profesional. Sot vijojnë shkollat profesionale vetëm 14% e kontingjentit të nxënësve që përfundojnë arsimin 9-vjeçar. Qeveria paraardhëse premtoi dyfishim të buxhetit dhe mbështetje për një nivel regjistrimi të nxënësve në masën 40%, në shkollat profesionale.

 

 

 

 

PANORAMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.