Sheshi “Nënë Tereza”, qindra vizitorë edhe pas ikjes së Papës

Edhe pas ikjes së Papa Franceskut, sheshi “Nënë Tereza” është kthyer në një vend peligrinazhi për ata që nuk kanë mundur të jenë të pranishëm në meshën e shenjtë. Podiumi ku u mbajt mesha ka qenë vendi i preferuar për të bërë një foto si kujtim.
Shumica e atyre që nxitojnë të bëjnë një foto para se të hiqet përfundimisht podiumi, nuk kanë mundur të jenë të pranishëm në meshën e shenjtë që mbajti në orën 11:00 Papa Francesku, por “ngushëllohen” me një foto. Madje ata që duan ta kenë një kujtim të tillë në celularin e tyre janë edhe nga ata që besimin që i përkasin e demonstrojnë edhe me rrobat që mbajnë veshur.
Menjëherë pas largimit të papës dhe delegacionit që e shoqëronte, në sheshin “Nënë Tereza” nisi aksioni për pastrimin dhe rikthimin në gjendjen e tij normale.
Ajo që ra në sy ishte fakti që sheshi “Nënë Tereza” notonte në qese plastmasi, për shkak edhe të reshjeve të shiut që shoqëruan meshën që u mbajt nga Ati i Shenjtë.
Ndërkohë që përveç punonjësve të bashkisë që hiqnin karriget e vendosura në shesh dhe gardhet që krijuan kordonin nga do të kalonte Ati i Shenjtë, nuk mungonin as personat që mbledhin mbeturina për riciklim të cilët mbushën karrocat e tyre me shishe plastike.
Podiumi ku u mbajt mesha u çmontua i fundit dhe u hoq nga shkallët e universitet Politeknik.
Sheshi “Nënë Tereza” dhe Bulevardi “dëshmorët e Kombit” rihapi qarkullim rreth orës 19:00, duke iu rikthyer kështu përditshmërisë.
Add new comment