Shembet me shpërthim ndërtesa 7-katëshe në Vlorë

Një shpërthim i komanduar rrafshoi një ndërtesë 7-katëshe të ndërtuar pa leje buzë detit në qytetin e Vlorës.
Komanda e shpërthimit u dha rreth orës 14:00 të së dielës. Më parë policia kishte marrë të gjitha masat për të siguruar perimetrin për të shmangur ndonjë tragjedi të mundshme, ndërsa në operacion u përfshinë edhe rojet bregdetare që ruajtën distancat duke mos lejuar qarkullimin e mjeteve ujore në afërsi të zonës.
Pas marrjes së të gjitha masave të nevojshme të sigurisë, forcat xheniere vendosën sasinë e përllogaritur të lëndës shpërthyese për të rrëzuar në tokë godinën. Puna tjetër për pastrimin e bregdetit do të kryehet nga fadromat e INUK, ushtrisë dhe Bashkisë së Vlorës.
E njëjta teknikë, ajo e shpërthimit të komanduar u përdor edhe një javë më parë në shembjen e një godine 5-katëshe në krah të Fakultetit Ekonomik në Tiranë.
Add new comment