Seanca plenare, Topalli-Metës: Keni shkarkuar nga detyra njerëz që kanë punuar 20 vjet në Kuvend

Kuvendi është mbledhur paraditen e sotme në një seancë plenare, në rend të ditës të të cilës janë disa projektligje. Kreu i Kuvendit maqedonas, Trajko Veljanoski, i cili ndodhet në vendin tonë për një vizitë dyditore, pritet të mbajë një fjalë përshëndetëse në seancën e sotme parlamentare.
Përpara nisjes së seancës, deputetja e PD, Mesila Dode ka shprehur shqetësimin për mosrespektimin e kuotave gjinore në akreditimin e ambasadorëve në vende të ndryshme dhe gjithashtu shkarkimet masive nga administrata të grave.
Ndërkohë, deputetja tjetër e PD dhe ish-kryetare e Kuvendit, Jozefina Topalli ka kërkuar llogari nga kreu aktual i kuvendit, Ilir Meta lidhur me shkarkimet masive të punonjësve nga administrata e kuvendit, jo vetëm të njerëzve që kanë punuar gjatë 8 vjetëve të qeverisjes së PD por edhe njerëz që sipas saj punonin prej 20 vjetësh në këtë institucion.
Në rendin e dites për seancën e sotme janë:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare datë 5.12.2013.
2. Projektligj “Për një ndryshim në ligjin nr. 9363, datë 24.3.2005, “Për mënyrën dhe procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe për dërgimin e forcave ushtarake shqiptare jashtë vendit”, të ndryshuar”.
3. Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 9948, datë 7.7.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore” të ndryshuar”. (shqyrtuar me procedurë të përshpejtuar)
4. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës
12 dhjetor 2013 (gazeta-Shqip.com)
Add new comment