Samaras takon Papadhimos: Nuk duhen masa të reja fiskale

Postuar në 09 Janar, 2012 13:42

 Në rrezik janë masat e reja fiskale të kërkuara nga Trojka dhe të shtruara për diskutim nga qeveria. 

Një shenjë u dha sot gjatë takimit që kryeministri Papadhimos zhvilloi me kreun Demokracisë së Re Antonis Samaras. 

Takimi u zhvillua në funksion të ardhjes së Trojkës në Greqi më 16 janar dhe ishte i pari në ciklin e takimeve të kryeministrit me liderët politikë, ndërkohë që nesër do të zhvillohet takim me kreun e LAOS George Karaxhaferis. 

Papadhimos në këto takime do t’iu bëjë thirrje liderëve të partive që mbështesin qeverinë e tij, të marrin angazhime të qarta për të mbështetur masat, që do të çojnë në nënshkrimin e marrëveshjes së re të kredisë. 

Kryeministri përpiqet për arritjen e një strategjie të përbashkët, në funksion të përfundimit me sukses të negociatave të vështira me Trojkën, që janë përpara. 

Në takimin me Samaras morën pjesë edhe nënkryetari i partisë dhe ministri i Jashtëm Stavros Dimas, e të tjerë zyrtarë të partisë. 

Qëndrimi i partisë Demokracia e re është se "nuk nevojiten masa të reja fiskale dhe se masat e reja nuk janë në kompetencën e kësaj qeverie". 

Përsa i përket pensioneve suplementare, DR konsideron se "çështja është zgjidhur, dhe nuk ka nevojë për përditësim". 

Për të zvogëluar shpenzimet e pagave në sektorin privat partia e Samaras argumenton se në parim është një çështje e partnerëve socialë dhe konsideron se pagat nuk janë faktor vendimtar për konkurrencën. 

Kërkesat e Trojkës: 

- Reduktimi i pagave minimale në sektorin privat. 
- Shfuqizimi i pagës së 13 dhe 14 në sektorin privat 
- Shkurtime në institucionet publike. 
- Masa më të ashpra kundër evazionit fiskal. 
- Reduktimi i pensioneve. 
- Liberalizimi i profesioneve të mbyllura. 

Para se të mbërrijë në Athinë, Trojka ka dhënë mesazh të qartë, se nëse nuk ka përparim në zbatimin e angazhimeve të ndërmarra nga qeveria, atëherë nuk do të shkohet drejt lëvrimit të këstit të gjashtë, ende “të ngrirë”. 

Një tregues i klimës në orët e fundit midis Greqisë dhe huadhënësve të saj, janë deklaratat e Kryetarit të Këshillit Shkencor të Ministrisë gjermane të Financave, i cili në një intervistë deklaroi se ''Greqia për mendimin tim është tashmë falimentuar. Unë mendoj se mirë do të ishte të thuhet ndershmërisht se qeveria greke nuk mund të paguajë borxhet e saj''. 
Po ashtu edhe botimi i revistës gjermane Der Spiegel, sipas së cilës FMN ka shprehur dyshime se Greqia nuk do të jetë në gjendje për të paguar borxhet e veta.

 

 

 

Anila Jole

 

Ballaknweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.