Samaras pas takimit me Venizelos: Ka shpresa për qeverinë e re

Postuar në 11 Maj, 2012 04:08

Pas takimit me kreun e PASOK Evangelos Venizelos, në përpjekjet për të rënë dakort për një qeveri, kreu i Demokracisë së Re Antonis Samaras deklaroi se ende ka shpresa për krijimin e një qeverie, për të cilën sic tha “po luftohet” dhe se nuk duhet të zhvillohen tani zgjedhjet në Greqi. 

"Ne kemi paralajmëruar për rrezikun e mosqeverisjes. Problemi është se nuk ekziston kultura e bashkëpunimit, dhe për shkak se asnjë forcë tjetër nuk ka asnjë plan konkret, përpiqet të fitojë për shkak të krizës", tha Samaras para grupit parlamentar të ND. 

Kreu i konservatorëve theksoi dy kërkesat e partisë së tij që janë, Greqia në Euro dhe rinegociimi i Memorandumit. Ai sqaroi pozicionin e ND duke thënë se kjo parti prej 2 vjetësh kërkon rinegociim të Memorandumit. Dikush duhet të qëndrojë në rrugën e logjikës kombëtare dhe ND gjendet në rrugën e realizmit. Sipas Samaras, Greqia po hyn në një epokë të re dhe zgjedhjen do ta gjejnë ata që mund të tejkalojnë të djeshmen. “SYRIZA nuk ishte gati për përgjegjësitë e pushtetit”, tha ai duke e kritikuar për indiferentizëm dhe si shkaktare të çuarjes së vendit në zgjedhje por siguroi se “jemi të përgatitur për një front të majtë antievropian”. 

Sipas Samaras, populizmi i PASOK nuk ndryshon aspak nga populizmi i SYRIZA, ndërsa Demokracia e re është shtylla e vetme e stabilitetit, tha ai duke përfunduar me sloganin “Së bashku do të kemi sukses”. 

Ky ishte takimi i dytë i Venizelos, në përpjekjet e tij për krijimin e qeverisë. Dje, me të marrë nga Presidenti i Greqisë, mandatin për krijimin e qeverisë, kryetari i PASOK, zhvilloi takimin e parë me Fotis Kouvelis, kryetari i DIMAR (E Majta Demokratike, me 19 vende në parlament), takim që e cilësoi një "hap pozitiv". 

Pas takimit, Kuvelis tha se kishte sugjeruar formimin e një qeverie, me mision të dyfishtë; për qëndrimin e vendit në BE dhe Euro dhe për ndryshimin e Memorandumit të masave, sugjerim që ishte mirëpritur nga Venizelos. Kreu i PASOK e cilësoi këtë një propozim “identik” me propozimin e tij për një qeveri të unitetit kombëtar, që ka si qëllim Greqinë në euro. 

Venizelos do të vazhdojë takimet kreun e SYRIZA, Aleksis Cipras. Kryetari i Grekëve të Pavarur, Panos Kamenos tha se nuk do t'i përgjigjet ftesës së Venizelos. Në rast të dështimit të negociatave të kreut të PASOK, është radha e Presidentit Papulias të bëjë një përpjekje “të minutës së fundit”, për të formuar një qeveri deri në zgjedhje. 

Greqia vazhdon të përjetojë krizën nga negociatat deri tani pa rezultat, për krijimin e një qeverie që të ketë qëllim kryesor qëndrimin e Greqisë në euro, por edhe rishikimin e Memorandumit të masave, kërkesë thelbësore e shumicës së partive parlamentare. 

 

Anila Jole

 

Ballkanweb.com

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.