Rinisin kërkimet për tre të arratisurit, dyshohet se ndihmohen nga njerëz të tjerë

Policia ka rinisur mëngjesin e sotëm kërkimet në malin e Gramozit për tre të arratisurit e tjerë nga burgu i Drenovës. Operacioni për kërkimin e tre të arratisurve u ndërpre mbrëmjen e djeshme për shkak të motit të keq, errësirës dhe terrenit malor, çka e vështirësoi krehjen e zonës ku u lokalizuan tre të burgosurit, në malin e Gramozit.
Eduart Lulo, Reis Haxhiraj dhe Gëzim Toma arritën t’i shpëtonin operacionit për kapjen e tyre ditën e djeshme, kur Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe të RENEA arrestuan tre të burgosurit që mendohet se kanë qenë edhe strumbullari i arratisjes spektakolare nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë dy ditë më parë.
Tre të burgosurit, që ishin arratisur një natë më parë nga burgu i Drenovës, u arrestuan nga RENEA në një magazinë në Përrenjas, gjatë një aksioni ku raportohet se nuk ka pasur shkëmbim zjarri.
Te arratisurit dyshohet se ndihmohen nga njerëz të tjerë
Sipas të dhënave të policisë së Korçës, dyshohet se Gëzim Toma, Reiz Haxhiraj dhe Eduart Lulo të cilët mendohet se janë ende bashkë, ndihmohen nga persona të tjerë, ndaj nga ana e bluve të qytetit juglindor po mblidhen informacione se ku lëvizin dhe ku marrin ushqim të arratisurit nga burgu i Drenovës.
Policia bën me dije gjithashtu se kërkimet për të arratisurit tashmë janë përqendruar në informacionet e mara në rrugë operative, ndërsa kërkimet në malin e Gramozit, ku fillimisht dyshohej se fshiheshin të kërkuarit, po bëhen me intensitet më të ulët, pasi gjurmët e gjetura më herët rezultuan se ishin të vjetra.
Shqip
Add new comment