Regjistrimi i popullsisë, nis nesër, AK: Deklarimin për fenë ta bëjnë besimet

Edhe pse 1 tetori i takon ditë e shtunë, pra ditë pushimi zyrtar për administratën, 15.000 regjistruesit zyrtarë, të trajnuar nga Instituti i Statistikave, do të trokasin në dyert e shqiptarëve për të filluar procesin e regjistrimit.
Procesi do të zgjasë deri më 21 tetor. Shqiptarët do t'u relatojnë të gjitha të dhënat e tyre, përfshi dhe kombësinë dhe besimin fetar, dy çështje mjaft të debatuara jo politikisht, por publikisht nga shoqëria civile, e pikërisht nga Aleanca Kuqezi, që aktualisht drejtohet nga nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu.
Sipas INSTAT-it, përkatësia etnike dhe ajo e besimit mbetet në dëshirën e deklaruesit ta bëjë të njohur apo jo, pra nuk është detyrim. Ndërsa Aleanca kërkon që këto dy pika të mos plotësohen nga shqiptarët, pasi do të ketë manipulime dhe të dhëna jo të sakta sa i takon numrit të minoritetit grek apo sllav në Shqipëri, të dhëna që mund të manipulohen edhe me gjendjen civile.
Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” aktivisti kryesor, pas Kreshnik Spahiut, i Aleancës Kuqezi, Endri Shabani, shpjegon faktin se pse është rrezik për kombin numërimi i shqiptarëve mbi bazë etnie dhe fetare. Sa i takon deklarimit të besimit fetar, këtë shumë mirë, sipas Shabanit, mund ta bëjnë vetë besimet fetare në vend, pasi shteti në Kushtetutë është i përcaktuar si laik. Ndërsa sa i takon etnisë, ajo nuk është e nevojshme të bëhet, pasi regjistri i Gjendjes Civile e përcakton qartë etninë e shqiptarëve. Ai dyshon se pikërisht për etninë, të dhënat nuk do të jenë të sakta dhe sipas tij, nuk do të jetë "fundi i manipulimit, por fillimi i degradimit".
Marrë nga balkanweb.com
Add new comment