Rama: Keqardhje therëse për humbjen e Olldashit, la boshllëk në skenën politike

Postuar në 21 Nëntor, 2013 08:43

Kryeministri Rama ngushëllon familjen Olldashi. Në një postim në Facebook, Rama shkruan se aid he familja e tij janë pranë familjes Olldashi në këtë moment të vështirë.

“S’kam pasur rastin ta takoj asnjëherë dhe pse dy herë e kam pasur përballë, drejtëpërdrejt si kundërshtar. Një herë si hetues parlamentar dhe një herë si kandidat për Tiranën. Në distancë i çmoja shumë qysh në krye të herës hazërxhevapin prej mistreci brilant. Akull dhe shpuzë. Ndër të paktat debate televizive që ndiqja me dëshirë qenë ato kur në anën tjetër përballë të mive, ishte Sokol Olldashi. Në një ditë si kjo është zakon të thuhen me tepri fjalë të mira, por unë kam veç këto pak fjalë të ndjera në respekt të kujtimit të tij siç e kam. Ashtu siç kam brenda meje qysh mbrëmë, një keqardhje therëse për ikjen e tij kaq tragjikisht nga jeta dhe nga skena e luftës politike – ku mesa duket la një boshllëk të rëndësishëm për aq shumë njerëz sa u vunë sot në radhë, pa dallim, për t’i thënë me dhimbje sinqerisht lamtumirë”, shkruan Rama.

Kryeministri dhe bashkëshortja e tij ishin pjesë e homazheve që u zhvilluan sot në Kuvend për nder të deputetit të ndjerë. Po sot, qeveria shpalli ditën e zisë kombëtare për humbjen e papritur të deputetit të opozitës.

* * *

Vdekja e Olldashit, qeveria shpall ditë zie kombëtare

Qeveria ka vendosur të shpallë ditën e sotme ditë zie kombëtare pas vdekjes ne nje aksident rrugor te deputetit Sokol Olldashi. Ceremonia e homazheve për deputetin Sokol Olldashi, i cili humbi jetën mbrëmjen e së mërkurës në aksin rrugor Tiranë –Elbasan, u zhvillua sot në orën 11:00 tek Kuvendi i Shqipërisë. Ndërkohë në orën 14:00 është parashikuar të zhvillohet përcjellja e trupit drejt banesës së fundit.

VENDIM I KËSHILLIT MINISTRAVE
SHPALLET DITË ZIE KOMBËTARE NË DERIM TË TË NDJERIT, SOKOL OLLDASHI, DEPUTET DHE POLITIKAN
I SHQUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës të Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, dhe të pikë s 8, të kreut VII, të ceremonialit zyrtar të Republikës së Shqipërisë, të miratuar me vendimin nr.229, datë 23.4.2004, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:

1. Shpalljen ditë zie kombëtare, ditën e enjte, datë 21.11.2013, në nderim të të ndjerit, Sokol Olldashi, deputet dhe politikan i shquar.
2. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmë shtize.
3. Ceremonia e homazheve organizohet ditën e enjte, datë 21.11.2013, nga ora 11.00 deri në orën 14.00, në mjediset e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
4. Shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit të përballohen nga institucioni organizator i ceremonialit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

* * *

Kush ishte Sokol Olldashi

Të dhëna vetjake

Datëlindja: 17.12.1972

Edukimi:

1995- Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë.

2004- Kolegji i Mbrojtjes pranë Komandës së Doktrinave (Politikat e Sigurimit Kombëtar).

Diplomuar me “Medalje të Artë” – shkolla e mesme e përgjithshme “Naim Frashëri”, Durrës.

Veprimtaria profesionale:

Profesioni: Jurist

1999-2001: Kryeredaktor në Televizionin ATN1

1995-1999: Zëvendëskryeredaktor për politikën në gazetën “Albania”

1994-1996: Reporter pranë ATSH-së.

Veprimtaria politike:

2002: Kryetar i Forumit Rinor të PD-së.

maj 2005 – maj 2009: Kryetar i PD-së së Tiranës.

2001-2005: Nënkryetar i Komisionit të Përhershëm të Mandateve, Imunitetit dhe Rregullores.

Anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme.

Kryetar i Komisionit Hetimor për shqyrtimin e ligjshmërisë së përdorimit të fondeve në Ministrinë e Kulturës dhe Bashkinë e Tiranës si dhe zbatimin e ligjshmërisë për zhvillimin urbanistik në Tiranë.

2005-2007: Ministër i Brendshëm

2007-Shtator 2013: Ministër i Punëve Publike dhe Transportit.

Zgjedhur në:

Zgjedhur në legjislaturat: V, VI, VII, VIII.

Qarku: Durrës

Grupi dhe Komisionet parlamentare:

Grupi parlamentar: PD

Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, anëtar. Komisioni për Çështjet Ligjore, Tregtinë dhe Mjedisin, anëtar.

Dita

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.