Rama i thotë “JO” armëve kimike

Postuar në 15 Nëntor, 2013 13:44

“Nëse disa vende të tjera do të kishin përparuar në kohë për t’u bërë pjesë e operacionit, unë do të isha gati sot t’ju thosha: ja plani ynë, ja marrëveshja me partnerët, ja sa pak do rrezikojmë dhe sa shumë do të fitojmë moralisht si komb, po edhe fizikisht si vend, duke u bërë pjesë. Por fatkeqësisht, ky element kaq i rëndësishëm për ju, njësoj si për mua, sot mungon. Dhe prandaj, me besnikërinë e plotë ndaj Shqipërisë dhe respektin më të madh ndaj miqve e partnerëve tanë të pazëvendësueshëm, ata e kanë marrë vendimin tim e mësojeni tani edhe ju: Shqipëria e ka të pamundur të përfshihet në këtë operacion”. 

Kjo ishte deklarata e kryeministrit Edi Rama, pas 28 minuta sqarime për qyetarët shqiptarë, se çfarë i ishte kërkuar nga SHBA. duke shuar kështu ankthin e miliona shqiptarëve. Që në fillim kryeministri tregoi se ishte kontaktuar nga SHBA për të diskutuar në parim dhe se ky ishte një operacion i komplikuar, sa civil aq edhe ushtarak dhe si i tillë përgatitja e tij nuk mund të jetë subjekt debati publik. 

“U kontaktuam drejtëpërdrejtë nga aleati dhe partneri ynë i madh, Shtetet e Bashkuara, për të konsideruar në parim pjesëmarrjen bashkë me vende të tjera në operacionin e shkatërrimit të arsenalit kimik të Sirisë. Dhe përgjigja jonë, ashtu si përgjigjia e një sërë vendesh të tjera, ishte ajo që imponon historia jonë e këtyre 23 viteve; boshti strategjik i politikës sonë të jashtme, pa dallime partiake deri dje paradite; detyrimi ynë për të qenë në krah të aleatëve tanë më të mëdhenj, në çdo përpjekje madhore për një botë më të mirë dhe, padyshim, vetë interesi ynë kombëtar që është pazgjidhshmërisht i lidhur me marrëdhënien tonë speciale me Shtetet e Bashkuara. Po, në parim ne jemi të gatshëm të përfshihemi në këtë operacion si pikë mbështetjeje në Mesdhe, por nuk kemi asnjë kapacitet të brendshëm për të marrë pjesë në të drejtëpërdrejt. Prandaj, gjithçka që lidhet me transportin, teknologjinë, ekspertizën duhet ta marrin përsipër Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera. Siç është plotësisht e natyrshme, na u kërkua konfidencialitet i plotë sepse procesi i organizimit të operacionit ishte vetëm në fazën e vet më fillestare, atë të vendosjes së kontakteve në parim”, theksoi Rama. 

Të gjithë këtë situatë, kryeministri e përshkroi si një pjesë të vështirë e të qenit të angazhuar kundër armiqve të njerëzimit dhe në krah të Shteteve të Bashkuara e të vendeve të Aleancës Euro-Atlantike, duke kujtuar kontributin e aleatëve përballë makinerisë vrasëse të Millosheviçit. 

“Kjo është pjesa e vështirë e një marrëdhënieje strategjike nga e cila ne, shqiptarët, duhet ta dimë më mirë se shumë të tjerë që kombet dhe vendet marrin më shumë se ç’janë në gjendje të japin. Sepse tamam kjo, është ajo pjesa e vështirë pa të cilën sot Sllobodan Miloveshiçi mund të ishte ende në qafën e gjysmës së kombit tonë, ndërsa ne shqiptarët e Shqipërisë s’do ishim jo në NATO, po në asnjë lloj refeneje ndërkombëtare”, nënvizoi Rama. 

Kryeministri dha detaje të diskutimeve me ekspertët tanë dhe çfarë garancish kishte marrë nëse demontimi i armëve do të kryhej në Shqipëri. “Duhet t’ju siguroj se në gjithë procesin e diskutimeve intensive jemi përqendruar me vëmendje, përmes një grupi ekspertësh, duke kërkuar përgjigje për çdo pyetje e shqetësim të ambjentalistëve, ekspertëve, apo pseudoekspertëve. Luftuam për kushtin e panegociueshëm të tërheqjes nga Shqipëria të të gjitha mbetjeve të armëve kimike. Sepse në Shqipëri nuk do të vinin armët famëkeqe, por vetëm lënda kimike. Thënë thjeshtë, do të vinte baruti, jo plumbi”, tha Rama. 

Pjesë e deklaratës ishte edhe sjellja e opozitës për këtë çështje. “Ashtu siç nuk e mendoja dot se ju, që hodhët verbërisht në erë një copë Shqipërie, duke vrarë 26 shqiptarë të pafajshëm dhe përvëluar qindra familje, do të guxonit të shkonit aq larg sa të bënit thirrje që të mos na përsëritet Gërdeci! Po pse, Shtetet e Bashkuara e shkaktuan Gërdecin, o “derra të kënaqun” migjenianë që sot luani rolin e “Sokratëve të përvuejtun” për këtë popull të cilin e latë rrugëve, mes plehrave, borxheve e përbuzjes së botës? Po pse, biznes për djalin tim dhe për biznesmenët e panginjur të oborrit tuaj është ky operacion humanitar o ju që në Gërdec, i çmontonit armët me nëna të dëshpëruara e “Lula të vocërr” të varfërisë që e mbollët si sëmundje rreth Tiranës e në çdo cep të Shqipërisë”, tha Rama. 

Kryeministri Edi Rama foli edhe për ata mijëra protestues që për disa ditë u mblodhën poshtë zyrës së tij. “Protesta juaj në rrjetet sociale dhe në rrugët e Tiranës apo Shqipërisë ka qenë e vetmja dallëndyshe shprese në qiellin e mbushur me tymin e zi të urrejtjes, mllefeve, gënjeshtrave, delireve, frikërave që shpërthyen në mesin tonë. Kam plotësisht respekt për kurajon tuaj dhe njoh jo pak ndër ju që ishin përditë bashkë me mua deri në 23 qershor, në rrugën e paharrueshme të përpjekjes për Rilindjen që të ecim më shpejt drejt Shqipërisë që duam”, përfundoi Rama.

 

 

 Top Channel

Armët kimike 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.