Rama: Fitorja në Korçë, përgjegjësi. Vitin e ardhshëm rritje ekonomike, por edhe reforma të dhimbshme

Postuar në 04 Nëntor, 2013 08:05

Kryeministri dhe njëkohësisht Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, uroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, kryebashkiakun e ri të Korçës, Sotiraq Filon, i cili u zgjodh në këtë detyrë me 76 % të votave, si kandidat i “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”.

Kryeministri ftoi që kjo fitore të lexohet si një shenjë e qartë e pritshmërisë së qytetarëve ndaj mazhorancës qeverisëse. “I falënderoj përulësisht të gjithë qytetarët që dje morën pjesë në votim, socialistët dhe progresistët, por dhe të gjithë demokratët që bashkuan votën e tyre, për kandidatin e koalicionit tonë. Ndjehemi ende më të ngarkuar me përgjegjësi ndaj tyre, po sigurisht edhe ndaj gjithë shqiptarëve, pasi kjo votë tregon më shumë sesa pëlqimin për një kandidat. I siguroj të gjithë se ne do të bëjmë të pamundurën për ta merituar me punë dhe rezultate dhe jo thjesht me fjalë, këtë mbështetje”, u shpreh Rama.

Më tej ai është ndalur në rezultatet e para të punës nën drejtimin e ri në dogana dhe në tatime, që sipas tij flasin për zhvillime pozitive në drejtimin e duhur. Rama paralajmëroi se rritja ekonomike do të shoqërohet me reforma të dhimbshme, duke theksuar domosdoshmërinë e tyre për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit.

“Sigurisht, që viti i ardhshëm do të jetë një vit me rritje ekonomike, por kjo nuk do të thotë se nuk do të jetë një vit reformash të dhimbshme të cilat janë ilaç i hidhur, por i domosdoshëm për ta ngritur ekonominë nga honi ku e kemi gjetur në rrugën e zhvillimit të mëtejshëm. Programi do të jetë një program zhvillimi ekonomik, një program rritjeje ekonomike, një program që do të krijojë të gjitha hapësirat për të lehtësuar kushtet në të cilat funksionon ekonomia jonë”, tha Rama.

Për Kryeministrin programi me FMN dhe projektbuxheti bashkë me paketën e re fiskale do t’i përgjigjet programit të votuar 23 qershor. “Programi me FMN-në dhe Projektbuxheti ynë me paketën e re fiskale do t’i përgjigjen themelit vleror të programit tonë të Rilindjes, të programit tonë të “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”, për të ecur më shpejt në rrugën e një zhvillimi të qëndrueshëm. Që do të thotë se çfarë ne jemi zotuar është pikë referimi edhe e diskutimeve me FMN-në, edhe e diskutimeve me Bankën Botërore, edhe e diskutimeve me ekspertët ndërkombëtarë, edhe në projektimin e programit të ri me FMN-në dhe të Projektbuxhetit të ri.

Sigurisht që, Projektbuxheti i këtij viti të parë të mandatit tonë është i diktuar nga kushtet e rënda në të cilat e gjejmë ekonominë, por kjo nuk do të jetë pengesë për të dhënë edhe nëpërmjet këtij projektbuxheti dhe paketës së parë fiskale të qeverisë së “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” sinjalet e qarta për votuesit, për sipërmarrësit, për të gjitha kategoritë shoqërore se ndryshimi i 23 qershorit ka sjellë në krye të vendit një qeveri të votuar me një program mbi disa vlera dalluese me palën tjetër, të cilat ne do t’i kemi tërësisht parasysh qysh tani edhe pse shtrëngesa e kushteve të ekonomisë dhe të financave është jashtëzakonisht ndikuese dhe kushtëzuese”, u shpreh ai.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.