Qytetarët pushtojnë sheshin

Postuar në 14 Nëntor, 2013 14:11

Prej orëve të para të mëngjesit po vijon protesta e qytetarëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile para godinës së Kryeministrisë, e organizuar për herë të parë kaq masive përmes rrjeteve sociale. Protesta e nisur që në orën 09:00 përpara Parlamentit po vijon edhe në këto caste përpara selisë së Qeverise dhe pjesëmarrësit thonë se nuk do të lëvizin prej andej pa dëgjuar vendimin e qeverisë shqiptare për armët kimike të Sirisë.   

Mijëra studentë, gjimnazistë dhe qytetarë u vendosën fillimisht para parlamentit për të kundërshtuar ardhjen e armëve kimike nga Siria, duke shënuar edhe nisjen e protestës më të madhe deri tani qytetare për këtë cështje.  

Pas rreth një orë protestë, mes turmës ka ardhur kryeparlamentari, Ilir Meta i cili duke dialoguar me protestuesit ka premtuar se qeveria nuk do të marrë asnjë vendim që bie ndesh me interesat dhe të ardhmen e cdo shqiptari.

"Të jeni të sigurt se çdo vendim do të ketë në themel të ardhmen e Shqipërisë, të ardhmen e të rinjve dhe të rejave, të ardhmen e popullit, prandaj kini besim se ky është Parlamenti juaj, kjo është Qeveria juaj. "Ju premtoj se bashkë me përfaqësuesit më të shquar të shoqërisë civile, ekspertët më të mirë të vendit, bashkë me të gjithë ata që kujdesen për të ardhmen e vendit, ne do të jemi gjithmonë në krahun tuaj, të të ardhmes së vendit dhe asbolutisht që ju duhet të jeni të sigurt se ky Parlament dhe kjo Qeveri nuk mund të vihen asnjëherë kundër vullnetit tuaj", u shpreh Meta, përpara protestuesve.

Pak përpara kryeparlamentarit Meta,  edhe deputetja Mesila Doda pati deklaruar se ajo do te ishte pjesë e pandashme e kësaj proteste qytetare.

Në orët që pasuan protesta është zhvendosur para kryeministrisë ku qindra të rinj dhe qytetare kanë kërkuar që qeveria të deklarohet kundër armëve kimike. Njerëzit janë stacionuar në Bulevard para godines së Kryeministrisë duke protestuar gjatë gjithë paradites qetësisht dhe në mënyrë qytetare. 

Por qetësia është prishur dhe protesta është ndezur pak pas orës 14:00 kur në shesh kanë zbritur udhëheqësit e opozitës.

 

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kanë hyrë në mes të turmës, duke apeluar për përshkallëzim të protestës në të gjitha qytetet e vendit. 

Prania e tyre në këtë protestë ka shkaktuar një reagim të fortë të qytetarëve, të cilët përmes fishkëllimave, gjesteve dhe zhurmës kanë kërkuar të mos politizohej protesta e tyre dhe largimin e menjëherëshëm të tyre.

Të gjendur në mes të këtij reagimi, Berisha dhe Basha nuk kanë mundur të qëndrojnë as disa minuta në shesh dhe janë detyruar të largohen.

Qytetarët, të cilët kanë nisur protestën që në orën 9 të mëngjesit kanë vijuar të qëndrojnë për gjatë gjithë ditës deri në mbrëmje të grumbulluar përpara Kryeministrisë.

Top Channel

 

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.