Qeveria, ikin Ciko dhe Shima, emërohen Kerni dhe Shabani

TIRANË Ngritja e një grupi pune për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me kompaninë çeke CEZ, emërime dhe lirime nga detyra për drejtimin e TOB-it dhe jo vetëm përkëtë të fundit, ishin disa nga vendimet e djeshme të Këshillit të Ministrave, që u publikuan pak orë pas përfundimit të mbledhjes.
Grupi i punës për CEZ
Pak ditë më parë, ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri u shpreh se pas heqjes së licencës në muajin janar nga qeveria paraardhëse, zgjidhja më e mirë e konfliktit me çekët e CEZ-it do të ishte arritja e një marrëveshjeje përmes negociatave të drejtpërdrejta. Në funksion të gjetjes së një zgjidhjeje për të shmangur arbitrazhin, Këshilli i Ministrave miratoi dje ngritjen e grupit të punës për zgjidhjen e mosmarrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë CEZ a.s. Vendimi ka si qëllim ngritjen e grupit të punës të kryesuar nga ministri i Energjisë dhe Industrisë dhe me përbërje përfaqësues të Kryeministrisë, të Ministrisë së Financave, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Avokaturës së Shtetit për negocimin me CEZ a.s., për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të lindura me shtetin shqiptar. Ndërkohë, Gjiknuri ka sqaruar më konkretisht në një intervistë të pak ditëve më parë se një nga hapat më të rëndësishëm pas heqjes së licencës do të ishte vlerësimi i gjendjes në të cilën kompania çeke la sistemin e shpërndarjes në Shqipëri. “Që kur filluan procedurat e heqjes së licencës, gjëja e parë që duhet të bënte shteti, ishte një vlerësim teknik dhe financiar për situatën se si e ka marrë këtë kompani, gjë që nuk e ka bërë. Sot e kësaj dite ende nuk ka filluar puna për vlerësimin e këtij efekti financiar të situatës. Ne këtë gjë do ta bëjmë shumë shpejt, në mënyrë që kur të ulemi me palën çeke të prezantojmë problematikën reale se si e kemi gjetur CEZ-in që ata e kanë pasur përgjegjësi për ta miradministruar dhe për ta pasur këtë si mjet në negocim”, – u shpreh Gjiknuri pak ditë më parë.
Emërimet
Por ngritja e grupit të punës për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me shoqërinë çeke CEZ ishte një prej vendimeve të rëndësishme që u morën dje gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Me vendim qeverie, po dje u lirua nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Zhani Ciko. Në vend të këtij të fundit u emërua balerini i njohur shqiptar, Ilir Kerni. Këshilli i Ministrave vendosi gjithashtu dje lirimin nga detyra të z. Rubens Shima dhe emërimin e Artan Shabanit në detyrën e Drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve.
MAPO
Add new comment