Punonjësit e Lufthansës në grevë, anulohen 1200 fluturime

Mijëra njerëz kanë mbetur të bllokuar në aeroportet gjermane në një tjetër grevë të personelit të kompanisë ajrore Lufthansa. Greva 24-orëshe ka detyruar firmën të anullojë 1200 fluturime, rreth gjysmën e trafikut të saj ditor duke lënë në tokë 100 mijë pasagjerë.
Sindikata thotë se dëshiron një pagë më të mirë dhe kushte të përmirësuara pune, por duket se të dyja palët janë ende larg një marrëveshjeje, ndonëse krerët e Lufthansës i kanë bërë thirrje përfaqësuesve të sindikatës të kthehen në tryezën e bisedimeve. Udhëheqësi i sindikatës, Nicoley Baublies u shpreh se punonjësit presin rezultate të konsiderueshme gjatë ditëve në vijim në mënyrë që të evitohet një përshkallëzim i mëtejshëm i grevës. Bisedimet midis Lufthansës dhe sindikatës UFO kanë vazhduar pa sukses për 13 muaj.
Sindikata kërkon një rritje 5 për qind dhe garanci pune për punonjësit e përkohshëm, kushte të refuzuara prerë nga udhheqësit e kompanisë, të cilët pretendojnë se duhet të reduktojnë ndjeshëm buxhetin për ta bërë më konkurruese kompaninë më të madhe ajrore të Gjermanisë.
Albanian Screen
Add new comment