Pronarët kundër: Ligji i ri ul çmimin e kompensimit

Pronarët shprehen kundër vendimit të qeverisë për të ndryshuar formulën e llogaritjes së çmimit të pronave që kompensohen. Reshit Vorpsi i "Pronësi dhe drejtësi", e sheh këtë levizje si tentativë për të reduktuar faturën financiare të kompensimit, duke ulur dhe më çmimet për metër katror.
"çmimet që ka metodika sot janë dy deri në tre herë më të ulëta se çmimet që ka realisht tregu dhe çmimet e reja synojnë pikërisht një gjë tjetër, që të ulin këto çmime në nivele të tjera. Fatura financiare e kompensimit të pronarëve është e papërballueshme për shtetin shqiptar.Më 31 prill të 2013 mbyllet ai që quhet afat 20 vjeçar i cili parashikon të drejtën e pronarëve për të kërkuar një pronë. Pra automatikisht çdo pronar i cili brenda këtij afati kohor nuk ka kërkuar ti kthehet prona e tij patjetër që ka humbur këtë të drejtë për ta kërkuar qoftë dhe gjyqësisht", tha Reshit Vorpsi, "Pronësi dhe drejtësi".
Vendimi i fundit për çmimet me të cilat kompensohen pronarët, daton në vitin 2008. Sipas ndryshimit të qeverisë çmimet e reja do të përcaktohen mbi 3 kritere: çmimi i tregut, lloji i pasurisë së paluajtshme dhe qëllimi i përdorimit të saj. Të kthyer shpesh në target të politikes, si një elektorat me numër të konsiderueshëm, pronarët deklarojnë se votën do t'ia japin atyre që do trajtojnë çështjen e pronave me realizëm.
"Pronarët do ta japin votën e tyre në funksion të interesave të tyre. Do të shikojmë programet dhe do të vendosim. E pakta, të tjerat janë në nivelin e premtimeve. Qeverisja e sotme nuk është në nivelin e premtimeve, është në nivelin e realizimit të atyre që mund të quhen premtime. Në këtë formë është larg interesave tona", thotë Vorpsi.
Kompensimi i pronarëve dhe ish të përndjekurve politikë, ka qenë shpesh kryefjalë e sulmeve politike të të gjitha kaheve këtë javë.
Albanian Screen
Add new comment