Prerja e borxhit grek, mbyllet procesi, arrihet marrëveshja

Postuar në 09 Mars, 2012 04:11

Ka përfunduar me sukses "prerja" e borxhit grek, gjë që parandalon mundësinë e një falimentimi të pakontrolluar të Greqisë dhe i hap rrugën shërimit të ekonomisë greke.

Ftesa e ministrisë së Financave për pjesëmarrje në procesin e shkëmbimit të bonove, u dërgua më 24 shkurt, ndërsa procedura e PSI, përfundoi mbrëmë në ora 22:00. 

Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Financave, pjesëmarrja vullnetare në programin e shkëmbimit të bonove greke (PSI) arriti në 85,8% për mbajtësit e obligacioneve që janë në varësi të ligjit grek dhe 69% për mbajtësit e obligacioneve që janë në varësi të ligjit ndërkombëtar. Ministria e Financave vëren se me këto të dhëna, nëse aktivizohen klauzolat e veprimit kolektiv, atëherë niveli i prerjes së borxhit publik do të arrijë në 95,7%.

Ministria bën të ditur se është zgjatur afati deri në 23 mars 2012, për mbajtësit e obligacioneve të rregulluara me ligj ndërkombëtar, që të deklarojnë pjesmarrjen e tyre në programin e shkëmbimit të bonove greke (PSI).

Marrëveshja përfshin 172 miliardë euro të vlerës së borxhit, ndërsa investitorët humbasin deri në 74% të investimit të tyre. Sipas kësaj marrëveshjeje do të shkurtohen 107 miliardë euro nga borxhi total i Greqisë.

Ministri grek i Financave, Evangelos Venizelos tha pas përfundimit të procesit: "Me mbështetjen e sektorit zyrtar dhe kreditorëve privatë, Greqia do të vazhdojë të zbatojë masat e nevojshme për të arritur rregullimet fiskale dhe reformat strukturore me qëllim që të kthehet në rrugën e rritjes së qëndrueshme".

"Është një moment historik i shkëmbimit shumë të suksesshëm të obligacioneve. Kjo na lejon të lëvizim drejt stabilizimit ekonomik dhe rritjes ekonomike ", tha zëdhënësi i qeverisë Pantelis Kapsis, për stacionin televiziv Mega.

"Eshtë shmangur rreziku i një krize të rëndë në eurozonë," tha kreu i FMN-së dhe Christine Lagarde, ndërsa Sekretari amerikan i Thesarit Timothy Geithner tha se “Evropa, në sajë të masave të ndërmarra për të ulur krizën e borxheve në të, nuk paraqet rrezik të rëndësishëm për ekonominë globale”.

Edhe qeveritë evropiane janë shprehur të kënaqura dhe optimiste për përfundimin e procesit në Greqi duke e cilësuar atë një “hap të madh në rrugën drejt stabilizimit”.

Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kishin thënë se nëse shkëmbimi i borxhit nuk do të përfundonte, atëherë Greqia nuk do të merrte dot paketën e tretë të shpëtimit prej 130 miliardë eurosh.

 

Ballkanweb.com

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.