Policia: Objekti 3-katësh në Qeparo me leje,pronë e Aristidh Kokëdhimës.

Objekti 3 katësh në bregdetin e Qeparos, është një ndërtim i ligjshëm në bazë të vendimit të Gjykatës së Vlorës, dhe ai është në pronësi të Aristidh Kokëdhimës. Ky është sqarimi i bërë nga ana e policisë së Vlorës, lidhur me denoncimin e bërë ditën e djeshme nga Partia Demokratike se ky objekt është i paligjshëm dhe se i përket deputetit socialist Koço Kokëdhima.
Përmes një komunikate për shtyp, policia bën të ditur se Aristidh Kokëdhima ka nisur ndërtimin e këtij objekti më 26.04.2002, me leje ndërtimi të lëshuar nga ana e Bashkisë së Himarës.
Po ashtu më datë 03.04.2007, Policia e Ndërtimit ka nxjerrë vendim prishjeje, për këtë objekt, me pretendimin se ishte pa leje ndërtimi, dhe se këtë vendim ia adresoi Koço Kokëdhimës. Siç sqaron policia, shkresa përkatëse, që ka bërë këtë ngatërresë, i përket datës 04.04.2007 dhe është nënshkruar nga Drejtori i Policisë së Ndërtimit të Vlorës, Gëzim Gosturani, pasi objekti dhe toka janë në pronësi të Aristidh Kokëdhimës.
Lidhur me këtë ngatërresë, Gjykata e Vlorës me vendimin e datës 21.05.2007, vendosi të pranojë padinë e Aristidh Kokëdhima dhe të anulojë vendimin e Policisë Ndërtimore, duke arsyetuar se ky ndërtim është i ligjshëm. Ai është zhvilluar në tokën e Aristidh Kokëdhimës, dhe me leje ndërtimi të lëshuar nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Bashkisë Himarë 12 vjet me parë.
Policia e Vlorës thekson se “në përfundim të verifikimeve dhe bazuar në dokumentet e provat shkresore, bëjmë me dije opinionit publik se ndërtesa në fjalë është pronë e shtetasit Aristidh Kokëdhima, ndërtuar në mënyrë të ligjshme.”
Add new comment