PD: Rama rilindi Enver Hoxhën

Partia Demokratike e ka cilësuar “rilindjen” e Enver Hoxhës praninë e fotos së diktatorit në festimet e djeshme që kryeministri Edi Rama bëri me rastin e Ditës së Çlirimit. Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e PD, Laura Vorpsi u shpreh se: “23 vjet pas rrëzimit të diktatorit më të egër të europës, Edi Rama e rilindi dje Enver Hoxhën, duke bërë homazhe për të dhe nën shoqërinë e tij. Prania e fotos së Enverit në ceremoninë e kryeministrit, është rënia e të gjithë skrupujve dhe shfaqja e fytyrës së vërtetë politike të kryeministrit të sotëm”.
Sipas Vorpsit, “ky provokim i qëllimshëm, i pabesë, në mes të ditës, është bërë me porosinë dhe nën regjinë e Edi Ramës. Shihni faqen zyrtare të kryeministrit në “facebook”, fotoja e parë e ceremonisë është ajo ku duket Enver Hoxha”.
“Edi Rama erdhi në pushtet me mashtrim, e nisi qeverisjen me dhunë, shkel ligjin e Kushtetutën, dhe në përpjekjen e tij për të trembur këdo, për të futur frikën si tiparin e tij ekzekutiv, ai thërret në ndihmë dikatorin Enver Hoxha”, – u shpreh zëdhënësja e PD, Vorpsi.
Zëdhënësja Vorpsi theksoi se: “Partia Demokratike i kërkon kryeministrit të distancohet urgjentisht nga akti i oshtërimit të shqiptarëve, si dhe të kërkojë falje sot, tani, pa kaluar as edhe një orë më shumë, të gjitha familjeve shqiptare e të gjithë shqiptarëve që kanë vuajtur drejtpërdrejt regjimin gjakatar të Enver Hoxhës. Ne i kërkojmë ta bëjë këtë, përpara se të jetë vonë. Askush nuk guxon të luajë me dhimbjen e vuajtjet më të mëdha të këtij kombi”.
Mapo
Add new comment