PD proteston ditën kur Fyle viziton Tiranën/ Rama: Një ministër i PS u bë qesharak kur thoshte më vodhën votat

Postuar në 07 Nëntor, 2013 16:46

Partia Demokratike pritet që të nisë stinën e protestave. Të hënën do të dalin përpara Kuvendit, pikërisht në ditën kur Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle viziton Tiranën.

Por PD, e cila kur ishte në pushtet akuzonte opozitën se po bllokonte integrimin me protesta, po vepron njësoj, tani kur Tirana pret marrjen e statusit të vendit kandidat.

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka, tha se protesta e opozitës nuk është pengesë për integrimin.

“Qëndrimi ynë nuk ka asnjë lidhje me PS-në, siç nuk kanë faktet asnjë lidhje me atë që bënte Rama në atë kohë. Rama bllokoi parlamentin, organizonte greva urie pa pasur provën më të vogël për vjedhje votash, ne jemi para një fakti publik dhe megjithatë kemi organizuar një protestë, por kemi kërkuar dhe një mocion si grup parlamentar ku të gjithë bashkërisht në Parlament të bëjmë një rezolutë dhe t’i kërkojmë BE-së dhënien e statusit Shqipërisë. Është mazhoranca dhe Edi Rama që po bëjnë çdo përpjekje për të bërë që ky status të mos merret. Ne jemi komplet në llogoren e kundërt. Ne na takonte sot të ishim në rrugë gjithë ditën, gjithë muajin, mbase dhe gjithë vitin apo katër vitet për këtë që ka ndodhur. Por se kemi të bëjmë me një ngjarje të tillë për integrimin e Shqipërisë, ne kemi këtë pozicion, i kërkojmë BE që me gjithë këto që po ndodhin të mos lënë anash statusin për Shqipërinë”, u shpreh Paloka.

Kurse në Kuvend, opozita shkoi më larg, kur duke folur për zgjedhjet në Korçë, deklaroi se zgjedhjet janë vjedhur edhe më 23 qershor.

Jozefina Topalli tha se votat janë blerë me 100 euro.

Por kryeministri Edi Rama tha se po bëhen qesharakë, njësoj si Igli Toska (ish- ministri i Brendshëm i PS) pas zgjedhjeve të vitit 2005, kur deklaronte se i kishin vjedhur votat.

“Njëherë e një kohë, me siguri deputetët e vjetër e kujtojnë, ishte një ministër, një ministër i një qeverie socialiste, i cili në zonën e tij, i humbi zgjedhjet dhe ishte një zonë ku socialistët kishin fituar gjithmonë. Besoj se mund ta ndaj me të gjithë deputetët e vjetër të opozitës opinionin, që ai ministër u bë shumë qesharak, duke u ankuar se i vodhën votën, duke u ankuar se banda, kriminelë, blerës, iu turrën dhe ia morën padrejtësisht mandatin që sovrani, sipas tij, e kishte bërë gati për të. Ishte ministër i Brendshëm, nuk ishte një ministër dosido. Ishte një ministër i Brendshëm pas 8 vjetësh në qeveri të Partisë Socialiste dhe atëherë deputetët e vjetër këtu në sallë, por edhe opinioni publik thanë të njëjtën gjë “Po kujt i ankohet ky!?”, “Kujt ia kërkon ky të drejtën që ia kanë grabitur!?” dhe “nëse ka një të vërtetë në këtë, ky është i pari që jo nuk duhet të flasë, por duhet të kërkojë falje që e paska lënë vendin aq keq, saqë bandat dhe kriminelët shkokan në ditën për diell dhe ia vidhkan këtij me dhunë mandatin!”. E pra, besoj se, në rast se ai ishte një rast fatkeq, i një njeriu, që ishte njeri i mirë dhe nuk ishte në gjendje të kuptonte dhe të shpjegonte humbjen, që në fakt e kishte plotësisht të merituar, ndoshta jo thjesht dhe vetëm për faj të tij, sot është një opozitë e tërë, është një shpurë e tërë ministrash, është një forcë e tërë që për tetë vjet, e mbajti Shqipërinë shah-mat dhe e katandisi në një pikë ku realisht Shqipëria s’ka qenë kurrë më parë, në gjithë këto vite, që vjen këtu edhe duke u nisur nga një fakt i interpretueshëm në dy mënyra, ankimon gjithë zgjedhjet e 23 qershorit dhe madje bën edhe llogari banale aritmetike, duke u nisur nga pagesat e transportit për ata të rinj që vunë fytyrën e tyre, zërin e tyre, veten e tyre, tërësisht në dispozicion të prokurorisë.

Tani, unë e kam thënë edhe më parë dhe jua përsëris këtu sot;

Çdo gjë, që ka lidhje me votën, për mua vetë dhe për të gjithë ne këtu që për votën kemi luftuar shumë, kemi sakrifikuar jo pak, kemi humbur edhe njerëz, nuk është as e diskutueshme, as e negociueshme dhe ju keni të gjithë të drejtën e Zotit, që interpretimin tuaj, ta verifikoni përmes organeve të drejtësisë. Keni të gjithë drejtën e Zotit që interpretimin tuaj ta verifikoni në të gjitha rrugët, që ju i konsideroni të drejta dhe që Kushtetuta dhe ligji ia njeh jo një opozite të tërë, por një individi të vetëm qoftë, që të kërkojë të drejtën e vetë. Në këtë pikë unë jam jo 99 %, por jam 100% me ju. Në këtë pikë unë jam shumë krenar, se përsëri ne bëjmë një dallim shumë të qartë, ndryshe nga ju, që nuk e pranuat qysh në sekondën e parë transparencën e zgjedhjeve të vitit 2009. Ndryshe nga ju, që nuk pranuat kurrë të shikoni në sy të vërtetën e fshehur në kutitë e votimit të vitit 2009, ne jemi tërësisht të hapur për çfarëdolloj rruge, që ju dëshironi të ndërmerrni, për të bërë faktimin e interpretimit tuaj.

Me këtë rast unë ju komplimentoj, për respektin e pakushtëzuar që shprehni edhe për emisionin “Fiks – Fare”, por dëshiroj që këtë respekt ta shprehni për gjithçka që lidhet me ato, që janë bërë vijimësisht publike edhe për keqqeverisjen tuaj.

Këtu me lejoni, tani, të kaloj në çështjen, për të cilën jemi këtu për të diskutuar, duke siguruar se edhe në qoftë se ju nuk do ta gjeni, do t’ju ndihmoj unë ta bëni lidhjen edhe me çështjet që ju shqetëson, edhe me paratë që ju shqetësojnë, edhe me llogaritë që ju shqetësojnë, edhe me gropën e madhe ku e keni zhytur këtë vend dhe ekonominë,” tha Rama.

Tema

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.