PD dorëzon në KQZ kërkesën për anulimin e zgjedhjeve në Korçë

Partia Demokratike i ka dorëzuar sot Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për anulimin e zgjedhjeve në Korçë. Kërkesa u dorëzua në KQZ nga përfaqësuesi ligjor i kësaj partie Oerd Bylykbashi, një ditë pasi kreu i kësaj partie, Lulzim Basha paralajmëroi se do të ndërmerreshin hapa ligjorë. Në një prononcim për mediat Bylykbashi theksoi se votat në Korçë u blenë dhe Partia Demokratike ka kërkuar që zgjedhjet të shpallen të pa vlefshme dhe të përsëriten.
“Zgjedhjet në Korçë janë të pa vlefshme sepse votat u blenë. Në vijim të asaj shkelje të rëndë që jo vetëm është konstatuar nga qytetarët Korçarë, por u faktua dhe me një filmim, i kërkuam KQZ-së që të shpallë të pa vlefshme zgjedhjet në Korçë. Shpresojmë që KQZ dhe instancat e tjera do i japin përgjigjen e merituar. Shteti i së drejtës është e vetmja garanci që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme”,- deklaroi Bylykbashi.
Ai kërkoi nga institucionet përkatëse, sistemi i drejtësisë dhe prokuroria të marrin masa dhe të bëjnë punën e tyre. “Ne pamë një aplikim sistematik të këtij krimi në qytetin e Korçës i cili tregon që PS dhe LSI janë tashmë aq të bindur që asgjë nuk i ndalon në arrogancën e tyre sa mund të aplikojnë një skemë të tillë kriminale. Kjo është vetëm preludë i asaj që duhet të presim në zgjedhjet që vijojnë. Nëse nuk marrin goditjen sot të gjithë shqiptarët duhet të harrojnë zgjedhjet të lira në të ardhmen”,- deklaroi Bylykbashi.
Shqip
Add new comment