Papulias takon sot Dulen, nesër takime me krerët e shtetit. Shoqata Çamëria proteston përpara Presidencës

Presidenti i Greqisë Karolos Papulias, nis sot vizitën e tij në Tiranë. Vizita 3-ditore e kreut të shtetit grek zhvillohet me ftesë të presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani.
Pasditen e sotme, presidenti grek do të zhvillohë një takim me Kryetarin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe njëherazi Zëvendëskryetar i Kuvendit Vangjel Dule dhe me përfaqësues të organizatës “OMONIA”.
Nesër, president Papulias do të pritet me një ceremoni zyrtare në Presidencë, nga kreu i shtetit Bujar Nishani.
Pas ceremonisë, Presidentët Nishani dhe Papulias do të zhvillojnë një takim së bashku, i cili do të vijojë me bisedimet dypalëshe ku do të marrin pjesë delegacionet përkatëse të kryesuar prej tyre.
Në përfundim të takimeve, Presidenti Nishani dhe Presidenti Papulias do të japin një konferencë të përbashkët shtypi.
Më pas Nishani dhe homologu i tij Papulias do të jenë të pranishëm si dhe do të përshëndesin Tryezën e rrumbullakët mbi ekonominë dhe energjetikën greko-shqiptare, që do të zhvillohet në hotel “Rogner”, në 4 nëntor 2013.
Ndërkaq sipas njoftimit të Presidencës greke të martën ai do të zhvendoset në Gjirokastër, ku do të vizitojë zonat ku jeton minoriteti grek në Shqipëri.
Në shtypin grek kjo vizitë është cilësuar si lëvizja e duhur për të shkrirë akujt mes palëve.
Shoqata “Çamëria” sakaq ka paralajmëruar një tubim nesër para Presidencës për t`i treguar presidentit grek Karolos Papulias dhe institucioneve greke në nivelin më të lartë, se problemi çam ekziston dhe se koha nuk pret më për zgjidhjen e tij.
Në një konferencë për shtyp Kryetari i Shoqatës “Çamëria”, Ardian Tana kërkoi nga politika shqiptare respektimin e parimit të reciprocitetit, dhe të përmbushë detyrimet e saj kushtetuese dhe kombëtare për çuarjen përpara të çështjes çame.
Tema
Add new comment