Një delegacion gjerman në SHBA për përgjimet

Një Delegacion i Shërbimeve Inteligjente të Gjermanisë zhvillon sot bisedime në Uashington me homologët amerikanë, pas raporteve se “NSA” ka përgjuar për më shumë se 10 vjet celularin e kancelares Angela Merkel. Zyrtarët gjermanë do të takohen në Shtëpinë e Bardhë, ku do t’i kërkojnë shpjegime palës amerikane.
Veç delegacionit gjerman, në kryeqytetin e SHBA-së, që prej së hënës ndodhet edhe një grup i Komisionit për Liritë Civile në Parlamentin Europian. Ata janë takuar me zyrtarë të Departamentit të Shtetit dhe me krerë të Kongresit. Në axhendën e tyre është edhe një takim në Shtëpinë e Bardhë.
Autoritetet amerikane po përballen gjithnjë e më shumë me zemërimin e vendeve mike, pas publikimit të informacioneve se kanë përgjuar miliona telefonata, përfshirë këtu edhe të 35 udhëheqësve botërorë.
Një ditë më parë, gjatë raportimit në Senat, kreu i Inteligjencës amerikane mbrojti politikën e vëzhgimit të liderëve, qoftë edhe atyre të vendeve mike. Sipas Xhejms Klejpër, përgjimi i tyre ishte një qëllim kyç i operacioneve. Ai shtoi se edhe shërbimet inteligjente të vendeve të tjera, synojnë të bëjnë të njëjtën gjë.
Mapo
Add new comment