Nga Butrinti deri në Velipojë, 500 objektet që do të shemben

Postuar në 20 Tetor, 2013 05:23

Ministria e Mjedisit do të prishë të gjitha ndërtimet pa leje në zonat e mbrojtura në Velipojë, Butrint, Divjakë, Kune-Vain, Llogora, Patok dhe Pogradec. Kjo u bë e ditur nga ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i cili në një konference për mediat deklaroi dje se do të prishen të gjitha ndërtimet pa leje të identifikuara në 54 zonat e mbrojtura. Gjithashtu, Koka theksoi se janë evidentuar rreth 500 objekte të paligjshme nga kjo ministri.
“Në mënyrë të paligjshme janë kthyer prona brenda zonave të mbrojtura. Janë identifikuar 500 ndërtime pa leje në 54 zonat e mbrojtura. Aksioni do të vijojë në Karavasta, Llogora, lumi Bunë, Butrint, Patok, liqeni i Pogradecit etj. Duhet të kthejmë në vend zonat e mbrojtura, ashtu siç kanë statusin, prandaj kërkojmë edhe mirëkuptimin e qytetarëve”, u shpreh dje Lefter Koka. Ndërkohë, ministri i Mjedisit, Lefter Koka, u shpreh, gjithashtu, se së shpejti do të bëhen ndryshime edhe në ligjin për gjuetinë.
Evidentimi
Ndërtimet pa leje në 54 zona të marra në mbrojtje në territorin e Shqipërisë, kanë bërë që të humbë kuptimi i vërtetë i emrit të tyre. Vetëm një muaj nga konstituimi i saj, Ministria e Mjedisit ka konstatuar në total 500 ndërtime pa leje që janë ngritur në parqet kombëtare, rezerva natyrore apo në zona të tjera që duhej të ishin të mbrojtura nga shteti.
Shembulli më flagrant i kësaj është Llogoraja, ku brenda zonës së mbrojtur me ligj janë 16 objekte që janë ndërtuar pa asnjë leje. Në të njëjtat ritme paligjshmërie janë dhe ndërtimet pa leje në Parkun e Butrintit, ku sipas raportimit të djeshëm, mësohet se hedhja e fondeve për mbrojtjen e tij kanë qenë në raport të drejtë me hedhjen e themeleve të ndërtimeve pa leje. Dhe gjatë monitorimit të Ministrisë së Mjedisit janë evidentuar 15 të tilla, ndërtime këto të bëra rreth Ksamilit. Sipas këtij raporti, mësohet se shkelja më e rëndë për ndërtimet pa leje nuk është bërë nga privatët, por nga vetë shteti, sidomos në Lezhë dhe Pogradec, të cilët sipas ministrisë, kanë pësuar një masakër të vërtetë mjedisore. Nga Pogradeci deri në fshatin Lin, Ministria e Mjedisit ka pikasur 9 objekte pa leje, të cilat për pak ditë do i nënshtrohen prishjes. Ndërsa në rezervatin natyror Kune- Vain-Tale, që ka një sipërfaqe prej 4 393 hektarësh, janë pikasur gjithsej 13 ndërtime pa leje. Por vala e objekteve të ngritura pa leje ka përfshirë edhe Lagunën e Karavastasë, pavarësisht bukurisë natyrore që kjo zonë ofron, janë shënuar me të kuqe tre objekte pa leje që janë ngritur brenda Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, që ka një sipërfaqe prej 22 mijë hektarësh. Ndërsa në peizazhin e mbrojtur lumi i Bunës-Velipojë, Ministria e Mjedisit ka shënuar 7 objekte pa leje brenda sipërfaqes prej 23 mijë hektarësh që zë ky peizazh. Gjithashtu edhe në rezervatin natyror Patok-Fushë-Kuqe shënohen 6 objekte pa leje brenda sipërfaqes prej 5000 hektarësh që ka në mbrojtje ky rezervat. Sipas të dhënave të Ministrisë së Mjedisit, mësohet se në Shqipëri janë 460 mijë hektarë që gëzojnë statusin e zonës së mbrojtur, ose thënë ndryshe 15.5 për qind e territorit. Dhe deri në 2020-n, përmes planeve të menaxhimit për zonat e mbrojtura, synohet që kjo sipërfaqe të shkojë në shifrat e 17 përqindëshit të territorit të vendit. “Synohet deri në vitin 2020 të kemi një sipërfaqe jo më pak se 17% e sipër të territorit. Ministria e Mjedisit ka hartuar plane dhe strategji për mbrojtjen e zonave.
Ka ndërtime pa leje edhe në këto zona. Do të punohet për prishjen e ndërtimeve pa leje brenda zonave të mbrojtura.
Ky është vetëm fillimi. Shumë shpejt do të ketë ndryshime të nevojshme në ligjin edhe për gjuetinë. Në Llogora, Patok dhe Fushëkuqe ka problematika me ndërtimet pa leje. E njëjta situatë po rëndohet edhe në Pogradec”, u shpreh dje ministri Koka gjatë prezantimit të raportit.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.