Nderim Dëshmorëve të Policisë

Postuar në 26 Tetor, 2013 03:33

Në Qendrën e Formimit Policor në Sauk u zhvillua ceremonia e nderimit të efektivëve të policisë që kanë humbur jetën në krye të detyrës në përballjen me krimin. 

I pranishëm në ceremoni ishte edhe Kryeministri i vendit, Edi Rama i shoqëruar nga Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi. 

I pari që mori fjalën ishte Drejtori i Përgjithshëm. Zoti Didi tha se sot nderohen të gjithë efektivët e Policisë së Shtetit që ndër vite dhanë jetën në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. 

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri tha se 254 oficerë të Policisë së Shtetit kanë humbur jetën në përballje me krimin duke lënë pas familjarët e tyre, disa prej të cilëve, sic tha Ministri, vazhdojnë betejën nëpër gjykata me qeverinë për të marrë statusin e familjarëve të dëshmorit. 

“Ka familje që vazhdojnë luftën kundër qeverisë nëpër gjykata për të marrë statusin e dëshmorit. Po përgatisim plan masash për të ndihmuar familjet e dëshmorëve. Ministria e Brendshme zotohet se do bëjë gjithcka është e mundur për të përmbushur zotimin se saj për strehimin e familjarëve dhe shkollimin e fëmijëve të policëve të vrarë”, tha Ministri Tahiri. 

Pasi deklaroi se Shqipëria është një rast i pashembullt për nga numri i policëve të vrarë në këtë periudhë tranzicioni në Europë, Kryeministri Rama u zotua në përmbushjen e të gjitha detyrimeve të qeverisë karshi familjarëve të efektivëve të policisë të rënë në krye të detyrës. 

“Jemi këtu për të përkujtuar të rënët, ata që u përballën me krimin, të rënët e një beteje të pabarabartë. Ata janë përballur me kriminelë dhe rrugaçë që shpesh kanë patur krahët e ngrohta. Ne zotohemi se asnjëra prej bashkëshorteve të policëve të vrarë nuk do të jetë pa punë vitin e ardhshëm, asnjë prej familjarëve të policëve të vrarë nuk do të jetë pa strehë vitin e ardhshëm. Në përvjetorin e vitit të ardhshëm ne nuk do të vijmë këtu kokëulur për shkak të braktisjes së shtetit”, tha Rama. 

Kryeministri deklaroi gjithashtu se Policia e Shtetit i ka të gjitha kapacitetet morale dhe profesionale të sfidojë krimin, për të marrë hak në emër të efektivëve të vrarë në krye të detyrës. 

“Ne jemi të vendosur në rrugën tonë të rivendosjes së plotë të rendit dhe rivendosjes së plotë dhe përfundimtare të dinjitetit të Policisë së Shtetit në të gjithë territorin e vendit, që nga polici i thjeshtë e deri tek drejtuesit më të lartë”, mbylli fjalën e tij Rama. 

Një ditë më parë Policia e Shtetit publikoi Buletinin e muajit tetor, që i referohet periudhës 17 shtator-17 tetor, ku flitej për 80 veprave penale çdo ditë. Një shifër e lartë jo vetëm për evidentimin e tyre, por edhe sasinë e krimeve që kryhen në territorin shqiptar çdo ditë. Shifra e lartë e arrestimeve i referohet personave në kërkim. Të paktën 187 prej tyre u arrestuan sipas policisë gjatë këtij muaji, 15 prej të cilëve ishin në kërkim ndërkombëtar.

 

 

TOP CHANNEL

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.