Ndarja e mandatit të deputetit i kushton Kuvendit 220 mln lekë

Përkundrejt masave shtrënguese financiare të qeverisë së re, Kuvendi i ka paraqitur Ministrisë së Financave një projektbuxhet sfidues. Nga 898 milionë lekë të akorduara për vitin 2013, Kuvendi për vitin e ardhshëm, për 2014, kërkon 927 milionë lekë të reja, duke mos marrë në konsideratë në këtë mënyrë porositë e ekzekutivit për të kufizuar shpenzimet për vitin e ardhshëm. Rritje kjo që vjen kryesisht në zërin e pagave dhe të kontributeve shoqërore dhe kjo për arsye se, siç raportohet në draft-buxhet, këtë vit do të paguhen dhe 11 deputetë më shumë sesa janë paguar në vitet e tjera, si dhe për shkak të shtimit të numrit të punonjësve të administratës si pasojë e zbatimit të ndryshimeve në rregullore që u miratuan në muajin maj, të cilat në total e çojnë numrin e personave që duhet të paguhen nga Kuvendi nga 349 në 370. Të dyja këto rritje kapin vlerën e 32 milionë lekëve të reja paga, si dhe 16 milionë lekë të tjera përfitime për deputetët. Më konkretisht, sa i përket lekëve shtesë që kërkohen për pagesat e deputetëve, në këtë dokument sqarohet se në vitin e ardhshëm, për shkak të ndarjes së mandatit të deputetit nga ai i ministrit do të paguhen 140 deputetë dhe jo 129, sa janë paguar vitin e shkuar. Ky ndryshim do t’i kushtojë buxhetit të shtetit plot 22 milionë lekë të reja. Siç shpjegohet në këtë dokument, hartuesit e tij theksojnë se “buxheti i vitit 2014 nuk mund të jetë i krahasueshëm me buxhetin e vitit 2013, pasi viti 2013 ishte vit elektoral dhe për muajt maj- shtator nuk është kërkuar dhe nuk është akorduar fond për përfitimin e deputetit. Sa i përket shtimit të numrit të personave që do duhet të paguhen nga Kuvendi, ai rritet me afro 21 të tillë, ku veç 11 deputetë që shtohen, nga ky institucion kërkohen të shtohen dhe 10 punonjës administrate, nga të cilët 8 këshilltarë për grupet parlamentare (4 pozita, 4 opozita, nga 1 gupet e tjera parlamentare), 2 sekretare për grupet parlamentare që u krijuan rishtazi. Në këtë projektbuxhet theksohet gjithashtu se në të nuk është llogaritur fondi i nevojshëm dhe numri i të punësuarve në zbatim të ndryshimeve të rregullores sa i përket numrit të punonjësve në zyrat e deputetëve në çdo rreth. Sa i përket shpenzimeve vlen të theksohet në këtë draft-buxhet, ato që synohet të kenë rritje janë shpenzimet për udhëtime të deputetëve jashtë vendit. Nga 23 milionë lekë të reja që kanë qenë planifikuar për këtë vit, Kuvendi kërkon për vitin e ardhshëm 24.7 milionë lekë të reja për udhëtimet jashtë shtetit. Një tjetër shpenzim për të cilin kërkohet rritje është ai për pritje-përcjellje, ku nga 12.8 milionë lekë propozohen 18.8 milionë. Po ashtu rritje propozohet edhe për shpenzimet për honorare nga 16 milionë në 28 milionë lekë. Shpenzimet e tjera për programin legjislativ që përfshijnë trajtimin e deputetëve nuk kanë ndryshime. Në këtë projektbuxhet shkurtime pësojnë vetëm shpenzimet e funksionimit ku hyjnë investimet. Kështu, nga 68 milionë lekë të programuara në buxhetin e Kuvendit të vitit 2013, në projektbuxhetin e 2014 ato shkojnë 39 milionë. Nga të cilat, 24 milionë për sistemin audio-video për 4 komisione dhe 15 milionë blerje pajisje për Kuvendin. Theksojnë këtu se në projektbuxhet Kuvendi nuk ka parashikuar asnjë lek për projektin e kompleksit të ri parlamentar, çka do të thotë se tashmë projekti i nisur nga Topalli është braktisur. Në këtë projektbuxhet bie në sy gjithashtu se nga ana e Kuvendit është refuzuar një kërkesë e drejtorisë së transportit të këtij institucioni për t’i blerë kryetarit të Kuvendit një makinë të re, pasi siç arsyetojnë ata, makina që ka aktualisht ai është e vitit 2005.
Financat nuk japin dy rrogat shtesë për ish-deputetët
Në bazë të ligjit për pensionet suplementare, të gjithë deputetët e legjislaturës së shkuar dhe që nuk u rizgjodhën në 23 qershor për shkak se ose nuk ishin fare në lista, ose nuk arritën të bëheshin pjesë e listës fituese, kanë të drejtën e marrjes së 2 pagave shpërblim. Por çka në fakt Ministria e Financave deri më tani nuk e ka parë të arsyeshme që ta zbatojë, pavarësisht insistimit të Kuvendit. Në dy shkresa të njëpasnjëshme që mbajnë datat 9 dhe 16 shtator dhe që i drejtohen Ministrisë së Financave, ish-sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Marlind Myftiu i bën me dije detyrimin që rrjedh nga zbatimi i këtij ligji. Në shkresat e mësipërme ai i vë në dispozicion Ministrisë së Financave dhe listën e ish-deputetëve që përfitojnë nga ky ligj, si dhe shumën që duhet t’i akordohet institucionit të Kuvendit për këtë çështje dhe që sipas përllogaritjeve shkon në 23 milionë lekë të reja. “Në zbatim të ligjit nr.9061 ‘Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione publike”, si dhe mbështetur në VKM 929, Institucioni i Kuvendit kërkon miratimin e akordimit të fondit si më poshtë: fond i veçantë në vlerë 1.3 milionë lekë për rast dalje në pension si dhe fond për pagat e menjëhershme për funksionarët që lënë funksionin, 23 milionë lekë”, – thuhet në këtë shkresë. Por pavarësisht kësaj, duket se kriza financiare ka bërë që ministria të mos e marrë parasysh deri tani kërkesën dhe siç raportohet nga sekretarja e re e përgjithshme e Kuvendit, kjo ministri nuk ka kthyer fare përgjigje. “Me shkresën tonë datë 09.09.2013, i është kërkuar Ministrisë së Financave akordimi i fondeve për pagesat e menjëhershme në vlerë 23 milionë lekë, por deri tani nuk kemi asnjë konfirmim, megjithë kërkesat tona për të marrë një përgjigje”, – shprehet sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, Albana Shtylla në informacionin që i jep Byrosë së Kuvendit lidhur me projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.
Buxheti i Kuvendit
Viti 2013 Viti 2014
Numri i punonjësve 349 370
Paga të deputetëve 250 mln 272mln
Kontribut i Sigurimeve për deputetët 28 mln 28 mln
Mallra dhe Shërbime për deputetët 215 mln 245 mln
Transferta korrente të huaja 12 mln 12 mln
Pagat e administratës 195 mln 218 mln
Kontributet i Sigurimeve për administratën 27 mln 28 mln
Mallra e Shërbime 103 mln 85 mln
Shpenzime kapitale 68 mln 39 mln
Shpenzime për udhëtime jashtë shtetit 23 mln 24.7 mln
Shpenzime për pritje-përcjellje 12.8 mln 18.8 mln
Shpenzime për honorare 16 mln 28 mln
Mapo
Add new comment