Naço: Ndryshime kushtetuese për ligjin dhe Gjykatën e Lartë

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, priti sot në një takim shefin e zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Marco Leidekker dhe zv.shefin, Olsi Dekovi.
“Dëshiroj t’ju ofroj asistencën tonë në projektet që keni si objektiv të punës suaj. Nga ana tjetër, ambasadat evropiane në Shqipëri do të jenë të fokusuara tek ju” -është shprehur Leidekker.
Ndërsa ministri Naço tha se është një lajm i mirë që progres-raporti do të kthehet në plan aksioni në të ardhmen.
“Kemi filluar nga strategjia anti-korrupsion, që do të përfundojë së shpejti. Gjithashtu, kemi në funksion portalin e denoncimeve online “Stop Korrupsionit në Drejtësi”, i cili është një mjet mbrojtës për qytetarët për të denoncuar korrupsionin. Kemi kaluar tek aktorët e drejtësisë paketën ligjore për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale. Korrupsioni duhet të konsiderohet si një krim i rëndë dhe ne do ta luftojmë si të tillë. Kemi parashikuar edhe ndryshime kushtetuese, për sa i përket imunitetit dhe ligjit për Gjykatën e Lartë”, -tha në fjalën e tij Ministri Naço.
Më pas diskutimi u ndal në vizitën e ardhshme të përfaqësuesve të Komisionit të Venecias në Tiranë, më 21 Nëntor, për të diskutuar mbi Gjykatën e Lartë.
Shefi i zyrës së Këshillit të Evropës tha se “PACA” është një projekt që ka lënë përshtypje të mirë, prandaj qeveria e re duhet ta vazhdojë aty ku ka mbetur. Gjithashtu, ai u shpreh se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe KiE qëndron në bazë të memorandumit të përbashkët.
SHEKULLI
Add new comment