Naço me përfaqësuesit e “Slynn”: Shkëmbejmë përvojat dhe praktikat.

Postuar në 03 Tetor, 2014 10:35

Ndryshimet në sistemin e drejtësisë, jetëgjatësia dhe efikasiteti i tyre kanë qenë në fokus të bisedimeve që ministri i Drejtësisë Nasip Naço ka zhvilluar me përfaqësues të lartë të Fondacionit Slynn në Mbretërinë e Bashkuar. Drejtuesi i këtij fondacioni i cili asiston prej vitesh reformat në sistemin e drejtësisë shqiptare, Sir David Latham tha se do të vijojë mbështetja në këtë drejtim, duke garantuar edhe angazhimin për të dhënë ndihmë në realizimin e tyre.
 
Ministri Naço duke falenderuar fondacionin “Slynn” për mbështetjen, ftoi drejtuesin Latham për të marrë pjesë në konferencën për drejtësinë që do të zhvillohet në Tiranë.
 
“Ju ftoj që të jeni të pranishëm, në mënyrë që të bëheni pjesë e aktorëve që do të kontribuojnë në zhvillimin e reformës në drejtësi, si dhe për të shkëmbyer përvojat dhe praktikat e mira në ndihmë të reformimit të sistemit”, u shpreh ndër të tjera Naço.
 
Gjatë vizitave të tij në Britaninë e Madhe, ministri Naço zhvilloi një takim edhe me drejtorin e Shërbimit të Provës, Ian Poree, ku shprehu rëndësinë e projektit të binjakëzimit për sistemin penitenciar dhe evidentoi si me mjaft rëndësi ekspertizën e këshilltarit britanik të atashuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Naço kërkoi nga pala angleze po të njëjtën asistencë edhe për Shërbimin e Provës.
 
Në fjalën e tij, ministri Naço ka shprehur vlerësimin e tij mbi sistemin e burgjeve private në Mbretërinë e Bashkuar, dhe duke e cilësuar atë si një vend lider në këtë drejtim, ai kërkoi asistencë në këtë drejtim, në kuadër të reformimit të sistemit penitenciar në Shqipëri.
 
Ndërsa, Poree u shpreh i gatshëm për të dhënë ndihmën e tij në drejtim të Shërbimit të Provës, mbikqyrjes elektronike si dhe sistemit privat të burgjeve, përmes krijimit të mundësive me ekspertizë, shkëmbim përvojash, dhe asistencë teknike.
 
Poree theksoi se, thellimi i bashkëpunimit të mëtejshëm është në dobi të të dy vendeve, ndërsa shprehu interes që të vizitonte Shqipërinë në të ardhmen.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.