Ministria: Analizat e kastravecave, pesticidet në norma të pranueshme

Ministria e Bujqësisë njoftoi sot rezultatin e analizave mbi mostrat e kastravecave, për përmbajtje të pesticidit ‘spiroxamine’. Sipas kësaj ministrie niveli është në norma të pranueshme. Ministria reagoi pas bllokimit të mallit shqiptar nga Mali I Zi me argumentin se pesticidet ishin në nivele të larta. Në njoftimin e saj ministria shqiptare sqaron se “kanë përfunduar në kohë rekord analizat për praninë e pesticidit spiroxamine mbi mostrat e kastravecave të marra direkt nga vendi i origjinës, pra në serat e kompanisë së cilës i është ndaluar sasia e produktit në pikën kufitare të Hani të Hotit (Mali i Zi). Analizat u kryen nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, (institucion në varësi nga Ministria e Bujqësisë), si e vetmja qendër reference në vend, e çertifikuar dhe akredituar ndërkombëtarisht për disa analiza laboratorike. Nga analizat rezulton se në kastravaceat e kompanisë në fjalë ka gjurmë spiroxaminë në nivele të pranueshme. Rezulton se spiroxamina e gjendur është poshtë nivelit maksimal të lejuar nga BE, që do të thotë poshtë nivelit 0.05 miligram për kg, që është norma e gjurmimit me standardet e BE dhe më poshtë se kjo shifër, nuk regjistron aparatura”. Ministria bën krahasimin me SHBA dhe Britania e Madhe, që sipas saj kanë të përcaktuar në mënyrë fikse, nivelin e spiroxaminës, që duhet të jetë në masën 0.1 mg për kg.
MAPO
Add new comment