Meta me homologun maqedonas: Do forcojmë marrëdhëniet mes 2 vendeve

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Trajko Veljanoski ka mbërritur sot në Tiranë për një vizitë dyditore me ftesë të kreut të Kuvendit, Ilir Meta, ndërsa pritet të ketë një sërë takimesh.
Fillimisht ai është pritur nga Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, në kryesinë e Kuvendit, së bashku me delegacionin që e shoqëron. Pas takimit dy homologët dolën në një prononcim të përbashkët për mediat.
Meta u shpreh se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë do të ndryshojnë, duke u forcuar më shumë në të gjitha fushat. Kreu shqiptar i Kuvendit tha më tej se, Shqipëria mbështet sovranitetin, integritetin e Maqedonisë.
Është kënaqësi e veçantë të presim sot në Tiranë kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë dhe delegacionin që e shoqëron. Kemi konfirmuar marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve tona. Shqipëria punon për forcimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve. Marrëdhëniet dhe shkëmbimet parlamentare marrin dimensione më të rëndësishme dhe kjo vizitë do t’u japë një impuls të ri marrëdhënieve tona. Faktori shqiptar atje është një ure solide bashkëpunimi mes nesh. Mbështesim sovranitetin, integritetin e Maqedonisë dhe e vlerësojmë atë një vend shumë të rëndësishëm. Mbështesim dhe duam përshpejtimin e proceseve integruese të Maqedonisë, duam ta shohim anëtare të NATO-s dhe shumë shpejt të jemi së bashku anëtare në BE”- tha Meta, duke theksuar mbështetje të plote të zbatimit të plotë dhe efektiv të marrëveshjes së Ohrit.
Nga ana tjetër kryeparlamentari maqedonas ka vlerësuar ftesën e bërë nga Meta, që sipas tij dëshmon për një rrugë të mirë të marrëdhënieve mes dy vendeve. I pyetur për zbatimin e gjuhës shqipe në Kuvendin e Maqedonisë, ai tha se deputetet shqiptarë flasin shqip në Kuvend.
Më pas, Kryetari i Republikës së Maqedonisë, Trajko Veljanoski do të mbajë një fjalë përshëndetëse në Seancë Plenare. Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Kryetari i Republikës së Maqedonisë,Trajko Veljanoski do të takohet me krerët më të larta të vendit, Zëvendëskryeministrin, Niko Peleshi dhe Ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati.
/Shekulli Online/ E.L./
Add new comment