Meta: Kalimi i Kadelit tek LSI, i natyrshëm. Paloka: Pazare të paskrupullta

Postuar në 31 Tetor, 2013 04:15

Vendimi i deputetit Gjovalin Kadeli për të çuar mandatin e marrë me votat e Partisë Demokratike vetëm tre muaj pas zgjedhjeve në krahun tjetër politik, tek Lëvizja Socialiste për Integrim është komentuar sot nga dy palët. Ndërsa PD-ja e sheh këtë lëvizje si një pazar të paskrupullt, për kreun e LSI-së Ilir Meta, është një lëvizje e natyrshme. Kështu kreu i LSI tha sot “Gjovalin Kadeli integrohet natyrshëm tek LSI sepse i përket së majtës”.

Kryetari i grupit të PD, Edi Paloka reagoi përmes një deklarate të shpërndarë për mediat në lidhje me vendimin e deputetit Kadeli për largimin nga PD-ja. Sipas Palokës, largimet nuk dëmtojnë opozitën, por vetëm atë që ikën. “Largimet nga opozita drejt qeverisë nuk dëmtojnë asnjëherë opozitën, e cila nga vetë emri që ka është kategori e pakicës. Dëmtojnë vetëm atë që ikën.  Personalisht mbroj parimin se deputeti duhet të respektojë deri në fund votën e zgjedhësve. Megjithatë, ka një kuptim politik për deputetin të lërë qeverinë dhe të kalojë në opozitë. Por e kundërta, domethënë ikja nga opozita për t’iu shtuar si numër qeverisë është vetëm një çështje e interesave vetjake dhe pazareve të paskrupullta”,- deklaroi Paloka. Sipas kreut të grupit demokrat, “Gjovalin Kadeli e dëshmoi se erdhi para zgjedhjeve me qeverinë e Partisë Demokratike vetëm për përfitime vetjake. Kjo qeveri mund të blejë deputetë me premtime dhe shpërblime. Gjuetia e mandat- mbajtësve pa integritet politik dhe publik është shprehje e qartë e dobësisë së saj. Por nuk mund të blejë me këto mjete të ulëta simpatinë dhe mbështetjen e publikut. Sikurse nuk mund të cenojë as edhe një miligram vendosmërinë e opozitës për të bërë detyrën e saj.” Ai shtoi më tej se opozita dhe opozitarizmi janë në një provë karakteri.

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.