Mbyllet votimi në Korçë, KQZ: Pjesëmarrja 30.9%

Është mbyllur votimi në 101 qendrat e votimit në qytetin e Korçës, ku sot u votua për kreun e ri të bashkisë së këtij qyteti.
Pjesëmarrja e votuesve ka qenë krahasimisht më e pakët, ndryshe nga zgjedhjet e dy viteve më parë për Bashkinë e Korçës, por edhe nga ato të 23 qershorit.
Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxha, deklaroi se pjesëmarrja për qytetin e Korçës ishte 30,9%. Procesi i votimit u zhvillua pa incidente, por nuk munguan akuzat dhe kundërakuzat nga ana e të dy shtabeve elektorale.
PD e Korçës: Ka presion mbi votuesit, Filo mohon akuzat
Partia Demokratike akuzoi sot maxhorancën dhe kandidatin e saj për kryetar bashkie në Korçë për presion mbi votuesit. ”E gjithë administrata e Bashkisë Korçë ndodhet në shkollën ”Raqi Qirinxhi”, ku po u bëhet presion votuesve”, thanë përfaqësues të shtabit elektoral të PD-së.
Ndërkohë, pak më vonë, kandidati i majtë, Sotiraq Filo, ka hedhur poshtë deklaratat e shtabit elektoral të PD në Korcë, duke bërë një apel për votuesit korcarë.
“Këto zgjedhje janë të rëndësishme ndaj ftoj qytetarët të votojnë masivisht. Sa për akuzat e PD, nuk kam shkuar në atë shkollë që përmendin ata, vetëm sa kam kaluar aty kalimthi në atë qendër votimi”.
Deri në orën 16:00 votuan 23,73 %
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë publik nivelin e votuesve për Bashkinë e Korçës. Sipas KQZ-së deri në orën 16:00 kanë marrë pjesë në votim rreth 23,73% e votuesve në qytetin e Korçës dhe për Komunën Karbunarë në Fier kanë marrë pjesë në votime rreth 44,60% e votuesve. Procesi ka ecur normalisht dhe nuk është shënuar asnjë incident.
Sot korçarët zgjedhin kryetarin e ri të bashkisë
Rreth 71 mijë e 800 persona me të drejtë vote pritet që t’u drejtohen sotl qendrave të votimit në qytetin e Korçës, për të zgjedhur kryetarin e ri të kësaj bashkie. Krahasuar me zgjedhjet e 23 qershorit, në këto zgjedhje janë rreth 300 persona të rinj, të cilët votojnë për herë të parë. Me përfundimin e fushatës, kanë mbërritur në Korçë edhe materialet zgjedhore të cilat po shpërndahen nëpër qendrat e votimit të përcaktuar.
Zgjedhjet
Zgjedhjet e pjesshme lokale për kryetarin e ri të Bashkisë së Korçës, për shkak të dorëheqjes së ish-kryetarit të saj Niko Peleshi, aktualisht në detyrën e zv.kryeministrit. Sot në garë, në ndryshim nga 66 subjekte garuese në zgjedhjet e përgjithshme, janë vetëm kandidatët e dy subjekteve kryesore të vendit, PS dhe PD, të cilat janë të mbështetura, në përgjithësi, nga aleatët e tyre të 23 qershorit. Gara u përqendrua kështu midis Sotiraq Filos kandidat i PS-së dhe Sotiraq Stratobërdhës së PD-së.
Aktualisht sipas kryetarit të KZAZ-së Artur Qeramixhi, Komisioni Zonal i Administrimit të Zgjedhjeve dhe Komision i Qendrës së Votimit ka në dispozicion të gjithë dokumentacionin dhe materialet zgjedhore të domosdoshme për zbatimin e procedurave dhe përmbushjes së detyrave që, Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, iu ngarkon këtyre komisioneve.
Procesi i votimit pritet të nisë në orën 7 të mëngjesit dhe do të mbyllet në orën 18:00.
101 kutitë e votimit do të hapen dhe numërohen në ambientet e Pallatit të Sportit, “Tamara Nikolla”.
Zgjedhjet lokale në Korçë kanë konfirmuar edhe njëherë përçarjen mes të djathtës. Pas ftesës nga kandidati i PS për kryebashkiak, Sotiraq Filo, Partia Fryma e Re Demokratike në Korçë iu përgjigj pozitivisht, duke deklaruar mbështetjen ndaj tij. Ish-kandidatja e FRD-së, Brikena Zeneli tha pak ditë më parë se ky vendim vjen pas konsultimit me strukturat në qendër dhe bëhet për mirëqenien e qytetarëve korçarë. Në mbështetje të kandidatit Sotiraq Filo, përfaqësues i PS, kanë dalë dhe parti të tjera, si Partia Demokristiane dhe partia Aleanca Demokristiane.
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i degës së Partisë Demokratike në qytetin e Korçës. Sipas Degës së PD, Filo po ndot fytyrën e së majtës me njolla të së djathtës, ndërsa e akuzoi atë për blerje votash.
***
PD: Ramës i ka kallur datën kandidati demokrat për Bashkinë e Korçës
PD e konsideron mbështetjen e Ramës ndaj kandidatit socialist për Bashkinë e Korçës një “reagim nga frika që u ka kallur kandidati demokrat, Sotiraq Stratobërdha”. Në një deklaratë për mediat sot në mesditë, zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi, akuzoi kryeministrin se po e përdor qeverinë si dordolec për të trembur zgjedhësit.
“Është bërë për të qeshur ky kryeministër: E ka bërë qeverinë si ariun e cirkut, e gjezdis nga një qytet në tjetrin për të mbledhur kureshtarë. Zotëria harron se është në Korçë, është në qytet të vjetër, qytet i njerëzve të lirë. Është bërë për t’i qarë hallin ky kryeministër: E përdor qeverinë si dordolec për të trembur zgjedhësit. Zotëria harron se jemi në demokraci, se njerëzit janë të lirë dhe nuk mund të tremben me hijen e rëndë të qeverisë. Rama tha disa herë: – “Fitoren e kemi të sigurt”, dhe nga ana tjetër, shpalli dëshirën e tij të vjetër për ta parë Korçën dhe Shqipërinë njëpartiake, si njëherë e një kohë. Edhe ta kesh fitoren të sigurt, edhe të kërkosh që zgjedhësit të votojnë vetëm për ty, kësaj i thonë të urresh pluralizmin”, tha ajo.
Dita
Add new comment