Kuvendi nis hetimin për Zana Xhukën e ILDKP

Kuvendi ka nisur një hetim ndaj kryetares së Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Zana Xhuka. Verifikimi rreth pozicionit të saj ka nisur pas një disa letrash publike të stafit të Xhukës drejtuar institucioneve të drejtësisë dhe Parlamentit, shkruan sot “Mapo”.
Mësohet se tashmë ka nisur hetimi i të gjithë veprimtarisë së Xhukës në krye të ILDKP-së, duke filluar që nga procedura e zgjedhjes së saj në këtë institucion për të parë ligjshmërinë e procesit. Në analizë është marrë dhe aktiviteti ligjor i këtij institucioni dhe përmbushja prej tij e detyrimeve që rrjedhin prej legjislacionit sa i përket verifikimit dhe kontrollit të deklaratave të pasurive të zyrtarëve të lartë.
ILDKP, pavarësisht se kanë kaluar muaj nga bërja e deklarimit të pasurive nga subjektet përkatëse, nuk ka publikuar ende asnjë deklaratë. Sipas Xhukës, shkak për këtë vonesë është bërë ndryshimi i ligjit, si pasojë ILDKP nuk ka më afat të përcaktuar brenda të cilit duhet të kryejë verifikimin e deklaratave të pasurisë apo publikimin e tyre. Ligji i ndryshuar përcakton vetëm se “Publikimi i të dhënave që deklarohen pranë Inspektoratit të Lartë bëhet nga ky i fundit vetëm pasi të ketë kryer kontrollin paraprak dhe aritmetik e logjik të këtyre të dhënave, duke i shoqëruar njëkohësisht me vërtetimin përkatës mbi rezultatin e këtij kontrolli”.
Por siç bëjnë të ditur burime nga mazhoranca, ky përcaktim nuk e shpëton ILDKP-në nga detyrimi që mund të kishte bërë ndërkohë kontrollin aritmetik e logjik për të gjitha deklaratat e depozituara. Kjo sipas tyre hyn te performanca që do të vlerësohet, ku natyrisht do të merren parasysh edhe rastet e referuara në prokurori, të cilat siç kanë pretenduar punonjës të këtij institucioni në letrat e tyre publike, kanë qenë zero.
Gjithashtu, pjesë e këtij hetimi parlamentar do të jenë dhe akuzat e tjera të punonjësve kundrejt Xhukës, për bllokim të dosjeve, abuzim me karburantin e institucionit, apo edhe çuarja e të gjitha deklaratave të pasurisë të ish-kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Kujtojmë gjithashtu se një nga çështjet që mund të bëhet pjesë e këtij hetimi parlamentar për Xhukën është dhe mospublikimi i raportit të vitit shkuar.
************
Në 22 tetor stafi kallëzoi penalisht Zhana Xhukën
Stafi i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka dorëzuar ne fund te tetorit një kallëzim penal kundër Inspektores së Përgjithshme, Zana Xhuka, për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe vjedhjes përmes shpërdorimit të detyrës.
Në kallëzimin penal drejtuar Prokurorisë thuhet se zgjedhja e Xhukës është bërë në kundërshtim të hapur me ligjin “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”.
“Arsimimi i saj i papërshtatshëm me detyrën aktuale dhe mospasja asnjë lidhje profesionale me ILDKPKI, ka sjellë bllokimin total të punës në institucionin tonë, paaftësi të plotë në kryerjen e detyrave që ngarkon ligji, falsifikime, shpërdorim të detyrës dhe vjedhje nga ana e Inspektores së Përgjithshme, që prej emërimit të saj e deri më sot. Duke ju referuar edhe nenit 281 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale po ju parashtrojmë sa më poshtë vijon:
Inspektorja e Përgjithshme ka larguar nga shërbimi civil Sekretarin e Përgjithshëm, Drejtoren e Burimeve Njerëzore, Drejtoren Juridike në kundërshtim flagrant me ligjin, edhe pse gëzonin statusin e nëpunësit civil, për shkakun e vetëm se nuk pranuan të firmosnin urdhrat e saj të kundërligjshme lidhur me administrimin e deklaratave të interesave private për subjekte të veçantë dhe përfitimin e padrejtë nga ana e saj të vlerave monetare dhe aseteve në ILDKPKI.
Edhe pse KSHC dhe Zyra e Përmbarimit kanë urdhëruar rikthimin e tyre në punë Inspektorja e Përgjithshme me dashje ka refuzuar zbatimin e këtij urdhri.
Ka larguar nën presion nga shërbimi civil drejtoren e IT dhe emëron në këtë pozicion, në kundërshtim flagrant me ligjin për statusin e nëpunësit civil, pa konkurs, një njeri të ndjekur penalisht.
Ka refuzuar të firmosë raportet e Inspektorëve të Lartë ku propozohen kallëzime penale dhe gjoba për zyrtarë me fshehje pasurie qindra mijë dollarë dhe konflikte flagrante interesi. Ligji kërkon që në përfundim të hetimeve administrative Inspektori i Përgjithshëm të miratojë ose të kthejë për verifikime të mëtejshme dosjet e kontrollit. Nuk është bërë as e para dhe as e dyta dhe aktualisht nuk dihet edhe fati fizik i këtyre dosjeve edhe pse afatet janë djegur përfundimisht duke i bërë të gjitha veprimet e kryera dhe aktet e administruara absolutisht të pavlefshme.
Ka bllokuar punën e nisur në date 19.11.2012, për kontrollin e plotë të rreth 200 zyrtarëve për shkak të funksionit dhe për dyshime për pasurinë e tyre, me arsyetimin absurd e antiligjor se kjo nuk ishte puna e saj. Edhe këto dosje, të papërfunduara, kanë dalë jashtë afateve ligjore duke i bërë aktet të pavlefshme. Në veprimtarinë e tij, ILDKPKI bazohet te Kodi i Procedurave i Administrative.
Nuk ka kryer kontrollin aritmetik dhe logjik si dhe hetimin administrativ për konfliktin e interesave për rreth 1200 deklarata të mbartura nga viti 2012, të patrajtuara dhe jashtë afateve ligjore, të cilat Inspektorja e Përgjithshme refuzon ti kontrollojë duke i arshivuar të papërfunduara e të pafirmosura prej saj.
Po ashtu, për të gjitha deklaratat e këtij viti, rreth 4800 copë, nuk është bërë skanimi elektronik sic kërkon ligji me qëllim shmangien e ndërhyrjeve në to, nuk janë kontrolluar paraprakisht siç kërkon ligji, nuk është bërë kontrolli aritmetik e logjik siç kërkon ligji, nuk janë bërë kontrollet e plota siç kërkon ligji dhe nuk janë kryer verifikimet e konfliktit të interesit siç kërkon ligji.
Nuk dihet fati i rreth 100 dosjeve të kontrollit të plotë të filluara në muajin qershor, afati i të cilave mbaronte më 23 shtator. Edhe pse ka filluar kontrolli i plotë për këto dosje Inspektorja e Përgjithshme refuzon tu japë Inspektorëve të Lartë deklaratat e interesave private për të kryer detyrën edhe pse është njoftuar nga të gjithë punonjësit nëpërmjet emailit për këtë fakt. Në këtë mënyrë, afatet procedurale janë djegur duke bërë absolutisht të pavlefshëm gjithë aktet e administruara në këto dosje, të cilat kishin evidentuar pasuri të fshehura e të vëna në kundërshtim me ligjin, konflikte flagrante interesi dhe shkelje të tjera nga zyrtarë të shtetit.
Sipas ligjit, duhet të kishte filluar që prej muajit prill kontrolli i 4% të dosjeve që përzgjidhen në bazë të shortit të hapur që kryhet vit për vit. Po mbyllet viti dhe nuk dihet akoma se çfarë bëhet me rreth 190 dosjet e përzgjedhurave me short.
ILDKPK është institucioni përgjegjës për parandalimin, evidentimin, zgjidhjen dhe ndëshkimin e rasteve të konfliktit të interesit. Konflikti i interesit është një nga dy shtyllat që mbajnë në këmbë këtë Institucion. Inspektorja e Përgjithshme e ka eliminuar me dashje dhe qëllimisht këtë aspekt të rëndësishëm të punës sonë sepse qoftë në deklaratat e saj para mediave, qoftë në urdhrat e lëshuara me shkrim prej saj verifikimi, parandalimi dhe zgjidhja e rasteve të konfliktit të interesit nuk është më pjesë e punës sonë të përditshme që prej Janarit 2013 deri më sot”, thuhet në kallëzimin penal.
Më tej theksohet se Sektori i Marrëdhënieve me Autoritetet Përgjegjëse është tërësisht i paralizuar. “Rezultatet në drejtim të kontrollit, trainimeve periodike, pjesëmarrjes në çështjet gjyqësore ku ILDKPKI është palë si dhe në çdo aspekt tjetër të punës së tyre deri më sot janë zero.
Transparenca, një nga aspektet e punës më të vlerësuara të ILDKPKI, e sanksionuar jo vetëm në ligj por e mbështetur edhe nga Gjykata Kushtetuese, ka rënë përfundimisht. Është ndaluar me urdhra në kundërshtim me ligjin publikimi i deklaratave të interesave private dhe marrëdhëniet me median, shoqërinë civile, institucionet homologe të rajonit pjesë e nismës rajonale antikorrupsion janë ndërprerë. Është ndërprerë gjithashtu edhe bashkëpunimi me OPDAT, OSBE si dhe institucionet nënshkruese të memorandumit të bashkëpunimit për krijimin e NjHP. Punonjësit e shërbimit civil të këtij institucioni janë detyruar nën kërcënimin e largimit nga puna të nënshkruajnë një dokument që znj. Zana Xhuka e quan deklaratë konfidencialiteti, sikur të ishin oficerë të shërbimeve sekrete dhe jo nëpunës civilë të ILDKPKI”, thuhet më tej.
Stafi më tej ka akuzuar Xhukën që i ka detyruar të marrin pjesë në aktivitetet e partive politike gjatë orarit zyrtar.
“Nuk mund të gjesh zyrtar tjetër në Shqipëri, në botë jo e jo, përvec znj. Zana Xhuka, që orarin zyrtar të punës ta ketë 11.00 deri 15.00 dhe jo 8.00 deri 16.00 siç përcakton ligji. Kamerat e sigurisë e vërtetojnë lehtësisht këtë fakt. Për të mos folur pastaj për mbledhjet me kolektivin në të cilat vetëm për punën nuk është diskutuar ndonjëherë. Është diskutuar për Frojdin dhe teorinë e tij, Jungun dhe teorinë e tij, Don Kishotin dhe bëmat e tij, modën dhe të rejat e fundit të saj, kulinarinë etj etj. Për rritjen e kapaciteteve investiguese, për kallëzimet penale që duhen dërguar në Prokurori, për masat administrative ndaj zyrtarëve të gjetur në shkelje të ligjit, për konfliktin e interesit nuk është diskutuar ndonjëherë që prej Janarit 2013 ne ILDKPKI.
Që prej vitit 2003 ILDKPKI ka pasur arritjet e veta. Çdo vit janë depozituar ne Prokurori kallëzime penale për fshehje pasurie, janë propozuar masa administrative për mosdeklarim pasurie, janë vendosur gjoba për zyrtarë në konflikt interesi etj. Është i pari vit që ILDKPKI i ka rezultatet zero. Zero kallëzime penale për 2012 – 2013, zero masa administrative, zero parandalim dhe zgjidhje konflikti interesi. Pra, shkurt dhe qartë, zero punë dhe zero rezultate i një institucioni të tërë për 2012 – 2013 që mbahet me taksat e shqiptarëve.
Ne sektorin financiar, është vjedhur duke shpërdoruar detyrën muaj për muaj bonusi prej 35.000 lekë i dhënë për transportin e zyrtarëve pa makinë, pa naftë e pa shofer. Znj. Zana Xhuka ka në përdorim personal makinën me targa zyrtare të ILDKPKI, gjithë sasinë e naftës prej 7.000 litra, shoferin personal dhe nuk duhet ta përfitonte këtë bonus sipas ligjit.
E gjithë sasia e naftës e blerë për vitin 2013 është tërhequr nga Inspektorja e Përgjithshme nga magazina pa u justifikuar e shoqëruar me procedurat ligjore për tu përvetësuar, shitur dhe për tu futur si para te thata në xhepat e Inspektores së Përgjithshme.
Në këto kushte, kërkojmë fillimin e çështjes penale ndaj Inspektores së Përgjithshme znj. Zana Xhuka për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe vjedhjes duke shpërdoruar detyrën parashikuar nga nenet 248 dhe 135 të Kodit Penal”, thuhet në kallëzim.
Dita
Add new comment