Kuvendi, grup hetimor për Zana Xhukën e ILDKP-së

Kuvendi nis hetimin ndaj institucionit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, i cili prej gati 10 muajsh drejtohet nga Zana Xhuka. Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, komisioni i Ligjeve do të ngrejë sot një grup kontrolli për të hetuar lidhur me veprimtarinë ligjore që ka kryer ky institucion gjatë kohës së drejtimit nga kryeinspektorja Zana Xhuka. Ndërmarrja e kësaj nisme është paralajmëruar dje, ndërsa ajo ishte përfshirë në kalendarin e punimeve për tri javët e ardhshme. Në kalendar është përfshirë që komisioni si pikë të dytë të rendit të ditës të ketë diskutimin dhe miratimin e projektvendimit “Për ngritjen e grupit për kryerjen e kontrollit në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave” (ILDKPKI). Në fakt, futja e kësaj pike në rend të ditës është kundërshtuar nga nënkryetari i komisionit, Oerd Bylykbashi, i cili e ka konsideruar nismën si antikushtetuese. Pavarësisht kësaj mazhoranca ka vendosur që sot në bazë edhe të këtij kalendari të ngrejë grupin hetimor. Siç bëhet e ditur nga deputetët, të cilët kanë marrë në dorë projektvendimin, në të përcaktohet si objekt hetimi: kontrolli i ligjshmërisë së veprimtarisë së ILDKP-së për periudhën 2013. Siç edhe vihet re nga projektvendimi, në të nuk përmendet fare emri i kryeinspektores, ndërsa në hetim sipas tij është institucioni që ajo drejton. Pra duke iu referuar pikës së objektit të hetimit, në të nuk bëhen përcaktime më të detajuara lidhur me kontrollet që do të kryhen, duke i lënë grupit të punës një hapësirë më të gjerë veprimtarie. Në një pikë tjetër të këtij projektvendimi përcaktohet se grupi i punës do të ketë 5 anëtarë, 3 nga mazhoranca dhe 2 nga opozita. Gjithmonë sipas këtij projekt-akti parashikohet që grupi i punës në fund të veprimtarisë së tij do paraqesë një raport mbi hetimin e kryer, të cilin do ia paraqesë për miratim komisionit, dhe ky i fundit do ia vërë në dispozicion kryetarit të Kuvendit, i cili do duhet më pas ta bëjë atë publik. Projektvendimi shoqërohet dhe me një relacion shpjegues mbi arsyet e ndërmarrjes së kësaj nisme, duke theksuar se si indicie kanë shërbyer një sërë ankesash të ardhura nga punonjës të këtij institucioni, paditë e bëra në prokurori, si dhe një material vëzhgimi i zyrës së Monitorimit të Institucioneve të Pavarura që vepron në Kuvend. Në fakt synimi i këtij kontrolli duket se është shkarkimi i Zana Xhukës nga detyra e kryeinspektores. Pavarësisht se në raport nuk parashikohet që të bëhet ndonjë propozim për shkarkim, raporti i këtij grupi pune pritet të shërbejë si material që një grup deputetësh ashtu siç edhe e parashikon ligji, të kërkojë shkarkimin e saj për moszbatim të ligjit. Ligji përcakton se Inspektori i Përgjithshëm mund të shkarkohet nga Kuvendi me kërkesë të jo më pak se 1/3-ës së të gjithë anëtarëve: a) për shkelje të dispozitave të këtij ligji, b) kur kryen veprimtari që krijon konflikt interesash dhe c) kur zbulohen raste të papajtueshmërisë së funksionit të tij.
Mapo
Add new comment