Kuvend, mazhoranca voton me 79 vota pro ndryshimin e buxhetit 2013

Postuar në 24 Tetor, 2013 16:30

Pas një seance maratonë që zgjati rreth 10 orë, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 79 vota pro dhe 42 kundër aktin normativ të qeverisë për disa ndryshime në buxhetin e vitit 2013. 

Ndryshimet u kundërshtua ashpër nga opozita gjatë gjithë seancës që nisi që në orët e para të ditës së sotme. Drejtues të opozitës në fjalën e tyre thanë se me këtë vendim, qeveria Rama rrezikon të zhysë vendin në recesion.
Por mazhoranca këmbënguli se ndryshimet janë të nevojshme, nisur nga gjendja e vështirë në te cilen sipas tyre qeveria e djeshme e ka lënë arkën e shtetit

Seanca e sotme nisi me një minutë heshtje në nder të 5 të rinjve që humbën jetën në aksidentin tragjik në Shkodër.
“Duke u bashkuar me kërkesën e deputetëve të qarkut të Shkodrës, u shprehim ngushëllimet e sinqerta familjarëve të 5 të rinjve, të cilët u ndanë në mënyrën më tragjike dhe të parakohshme nga jeta. Ju ftoj të gjithëve të mbajmë një minutë heshtje”, tha në nisje të seancës, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. 

Cani: Situata e vështirë e financave, rezultat i performancës së dobët të tatimmbledhësve

Ministri i financave Shkëlqim Cani ka paraqitur sot në Kuvend ndryshimet në buxhet duke shtuar se për qeverinë dy janë shqetësimet kryesore, mbajtja nën kontroll e financave dhe ulja e borxhit. Sipas ministrit, Akti Normativ shkurton me rreth 38.8 miliardë lekë buxhetin fillestar të këtij viti duke u mbyllur me 321 miliardë lekë ose 23.8% (23.4) të PPB.

“Edhe për vitin 2013, një nga faktorët negativ është parashikimi më optimist nga qeveria e kaluar, ka shmangie të parashikimeve në 1.2%, efekti negativ në buxhet është me 4.7 mld lekë. Duket qartë që faktori kryesor në krijimin e këtij hendeku është performanca e dobët e mbledhjes së tatimeve. Të ardhurat totale ishin parashikuar me rritje 9.3% kundrejt vitit 2012, kur mbeteshin edhe tre muaj për mbylljen e vitit, ky tregues ishte negativ, u mblodhën 2.6% më pak se 2012.  6 mujori i dytë, gjithnjë i ka pasur të ardhurat shumë më të thella se i pari, në këtë rast është edhe më kritik. Për 9 mujorin e parë të ardhurat nga tatimet e doganat rezultuan 6.5% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Ky akt që po miratojmë do të na çojë që të ardhurat të dalin 5.4% më pak se viti 2013, pra ka një performancë më të mirë, duke marrë parasysh se ai mbart 5 mld lekë efekt negativ për nevojat elektorale që ka bërë opozita e sotme, dikur qeveria″,-u shpreh ministri Cani. Ai ka theksuar më tej se  situata e vështirë e financave të vendit është rezultat i performancës së dobët të tatimmbledhësve.

“Faktet e dala në dritë kohët e fundit me evazionin marramendës, me lojërat e fatit, karburantet, e tregojnë më së miri këtë. Ju pjesëtarë të qeverisë së shkuar keni pasur dijeni dhe nuk keni vepruar ose keni keqvepruar”,- deklaroi ministri.

Berisha: Akti normativ, faza e dytë e skenarit Papandreu  Ish-kryeministri dhe deputeti demokrat Sali Berisha i ka bërë thirrje deputetëve të mos votojnë aktin normativ,  që sipas tij është një skenar i qeverisë për ta çuar Shqipërinë në recesion. “U them shqiptarëve se sot këtu po vendoset faza e dytë e skenarit të Jorgo Papandeut, i cili pasi u tha grekëve se janë paratë u tha se ja çfarë ta bëjnë gropën dhe futi grekët në shpejtësinë më të madhe në gropë. Me matematikën e Ramiz Alisë që paraqiti eksperti i patateve dhe i vjedhjeve të floririt Shqipëria dhe ekonomia e saj ecën me shpejtësi drejt gropës ndaj hidheni poshtë këtë dekret që mban në vetvete fazën e dytë të një skenari ogurzi, atë të zhytjes së ekonomisë së vendit në recesion dhe në krizë të pashmangshme”,- tha Berisha duke u larguar më pas nga salla e parlamentit.

Bode: Akti normativ, atentat ndaj ekonomisë

Ish- ministri i Financave, Ridvan Bode e konsideroi aktin normativ për ndryshimet në buxhetin e vitit 2013, si sulm të pamoralshëm ndaj ekonomisë dhe financave të vendit. Sipas tij në progres raportin e Komisionit Europian, dokument që përmbledh të gjithë konsideratën për institucionet, thuhet se ekonomia shqiptare ka bërë progres të madh dhe po shkon drejt një ekonomie funksionale tregu.

“Ky akt normativ përbën atentatin më të madh ndaj ekonomisë së vogël të shqiptarëve që e kanë ndërtuar atë me mund e djerse. Diferenca e këtij akti është se përpjekja juaj është për të rrënuar financat e Shqipërisë”, deklaroi Bode.

Ish-ministri Bode akuzoi qeverinë se po rrit nivelin e borxhit, për të justifikuar mosmbledhjen e të ardhurave. “Nuk mund të merret hua,veçse për investime publike, në tetë vite ky rregull është respektuar në mënyrë rigoroze”,- deklaroi Bode.

Rama: Reforma, drastike por e nevojshme

Kryeministri Edi Rama duke folur në seancën plenare e ka cilësuar aktin normativ si një masë të dhimbshme por të  nevojshme normativ për buxhetin e shtetit.

“Jemi këtu për të diskutuar për të marrë një masë së detyruar por edhe të dhimbshme që shënon fillimin e një reforme drastike që ne do ti bëjmë ekonomisë dhe financave të vendit. Ka shumë për të thënë sot por pa pretenduar që kam zgjedhur shembujt më të mirë disa shembuj do ti sjellë këtu për ti thënë qytetarëve se për çfarë jemi mbledhur sot dhe ku është problemi që duhet të zgjidhim me këtë akt normativ. Një shembull është buxheti i detyrohet personave më në hall të kësaj qeverie, PAK një shërbim modest për vetë kushtet e Shqipërisë por që për ta do të thotë buka e gojës.  Buxheti i shtetit i detyrohet PAK një shërbim modest, por që për ta do të thotë një fjalë bukën e gojës. Për këtë bukë goje buxheti i shtetit i miratuar nga ata që në 23 qershor morën 1 mln shuplaka parashikonte 174 mln dollarë.

Nga këto, në prill, maj qershor, muaj që përkojnë me fushatën elektorale janë shpenzuar 94 % të fondit, pa dashur kush t’ja dijë se ku do ta gjejnë në korrik, gusht, shtator, tetor, e deri në dhjetor bukën e gojës ata që s’kanë asnjë mundësi tjetër veç se të presin ditën e parave. Keni harxhuar 94% dhe sot janë vetëm 7 mln dollarë dhe radha e invalidëve pret me sytë nga qielli bukën e gojës. Shembulli i dytë lidhet më prillin, majin dhe qershorin. Ky vend ka edhe një fond për emergjencat civile dhe një rezervë për ato raste që nuk janë pak por të përsëritura”, tha Rama. Ai paralajmëroi se sot në orën 17:00 do të mblidhet Këshilli Ekonomik Kombëtar ku sëbashku me përfaqësuesit e FMN-së dhe Bankës Botërore do të trajtohen çështja e krizës së thellë ku opozita e sotme e ka lënë vendin dhe për përballimin e situatës në kushtet ku sipas tij arka e buxhetit të shtetit është bosh.

Rama ka akuzuar opozitën se gjatë kohësh që ishte në pushtet ka shtuar borxhet në kurriz të shqiptarëve.

“Ne jemi për të lehtësuar dhimbjet e një populli të tërë që I keni marrë paratë por edhe fytyrën duke e bërë qeverinë borxhlijen e madhe ndaj sistemit elektro-energjetik shqiptar. Ju u keni prerë ushqimin ushtarëve të këtij vendi. Keni degjeneruar familjet e tyre dhe tërë bota e di që për të çuar ushtarët në Afganistan merrnit mijëra euro dhe vini këtu dhe na tregoni përralla me mbret.  Mbretin mbajeni t’ju rrojë por përrallat tregojini njëri tjetrit. Në këtë vend nuk do pritet më shirit për të marrë vota. Borxhet që u ngarkohen atyre që lëvizin në karrocë, borxhet për të prerë shirita dhe për të thënë rrugë rrugë rrugë nuk do të ketë. Për të gjitha arsyet keni ngrënë 1 milion shuplaka pastaj na pyesni ne se për çfarë jemi votuar ne” u shpreh Rama.

Ai i është përgjigjur edhe akuzave të opozitës për mosmbajtjen e premtimeve të bëra gjatë fushatës elektorale.

“Nëse ka akoma kush durimin të dëgjoj më vjen shumë mirë që keni marrë përsipër të kërkoni mbajtjen e premtimeve, ajo duhet të bëni, por sot 30 ditë numërojini, në 4 vjet duhet të numëroni shumë ditë, ajo që u them është që sot është ende koha që ju të jepni llogari e do ta jepni para popullit për këtë gjendje që keni lënë, ne do ta japim pa as më të voglin dyshim para popullit pas 4 vitesh, qysh në projekt buxhetin e parë që dot vijë menjëherë pas këtij akti e qysh në paketën e parë fiskale do të shikoni që ne jemi shumë seriozë me premtimet, kush fiton më shumë do paguajë më pak, që në këtë projekt buxhet” tha Rama.

Berisha: Po e zhytni vendin në recesion, ky draft ndëshkon çdo shqiptar

Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së tij për herë të dytë ditën e sotme nga foltorja e kuvendit ka deklaruar se drafti i sjellë sot në Kuvend do ta çojë vendin me shpejtësi drejt recesionit, në të cilin sipas tij vendi nuk ra për asnjë moment gjatë viteve të qeverisjes së tij.

Sipas tij, me këtë dekret qeveria do të ndëshkojë çdo fëmijë shqiptar, çdo të papunë shqiptar, çdo të punësuar shqiptar, të sëmurët, shtatzënat, të moshuarit.

“Çfarë po bëni? Ju po sillni recesionin me shpejtësi të madhe. Një gropë për një njeri që nuk ka asnjë informacion, doni ta ktheni në gropë për të gjithë. Kur FMN, KE, ekonomistët flasin për rritje, piktori dështak do ta kthejë në gropë.

Ju në 4 muaj e rrisni borxhin 10 herë më shumë se Berisha. E rritëm borxhin 4 %, por ndërtuam rrugë, financuam fermerë, ndërtuam shkolla, ujësjellës, kanalizime dhe nuk përdorëm asnjë qindarkë. Ju i dorëzuat doganat klaneve tuaja dhe shkoni merrni borxh në banka.

Në vend që ato kredi të shkojnë tek biznesi, i merrni ju. Për këtë votoni ju sot, e votoni sigurisht, por kjo do t’ju rëndojë në ndërgjegje. Ku i çoni 240 milionë dollarët?”, tha Berisha

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.