Kryeministri Rama: Statusi, të gjithë kanë merita në këtë proces

Në procesin e integrimit secili ka vendosur ndonjë gurë dhe marrja e statusit nuk është meritë e një qeverie. Me këtë argumentim e ka komentuar sot kryeministri Edi Rama rekomandimin e KE-së, për t’i dhënë Shqipërisë statutin kandidat. Ndërkohë ai thotë se nuk është koha për entuziazëm por duhet të shihet si një inkurajim për të çuar përpara reformat e nevojshme për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Në një konferencë të përbashkët me ambasadorin e BE-së Ettore Sequi, Rama theksoi se kjo nuk është një ditë për sulme apo lavdërime, por duhet të shërbejë si inkurajim për çdo shqiptar.
“Për ne as propozimi i sotëm për statusin, as statusi vetë dhe as hapja e bisedimeve për anëtarësim, nuk janë arsye për të mos njohur arritjet e qeverive të mëparshme në legjislacionin e integrimit. Ky proces ka qenë më i gjatë se jetëgjatësia e një qeverie të vetme dhe kush më shumë e kush më pak të gjithë kanë patur meritat e veta. Në nuk gjejmë sot rastin për tu lavdëruar, as për të sharë opozitën, për të ndarë popullin në të mirë dhe të keq. Ne jemi të inkurajuar sot nga propozimi i KE-së dhe çdo shqiptar pa dallim duhet të ndihet i inkurajuar.”- deklaroi Rama.
Kryeministri nënvizoi se qeveria është dakord 100% me kushtet themelore të raportit, për të nisur procesin e hapjes së negociatave për anëtarësim, duke shprehur angazhimin për të forcuar frymën e gjithëpërfshirjes në politikën shqiptare.
Ndërsa ambasadori i BE-së Sequi nënvizoi rëndësinë që ka dialogu politik konstruktiv dhe i qëndrueshëm, në procesin e integrimit evropian të vendit. Duke theksuar se rekomandimi i KE-së për statusin kandidat është bazuar në fakte dhe arritje konkrete të Shqipërisë, ambasadori Sequi nënvizoi se nga ky proces priten transformime të mëdha në vend. “KE arriti në përfundimin se Shqipëria ka ndërmarrë progres të mirë në rrugëtimin e saj në integrimin evropian, veçanërisht duke miratuar masat e identifikuara si thelbësore, dhe duke vazhduar të japë rezultate për prioritetet që janë nxjerrë nga KE. I jepet statusi kandidat me kompromisin që Shqipëria të vazhdojë hapat në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Ky është një proces dhe si i tillë ky proces ka fuqi transformuese për vendet që e kalojnë atë, ashtu dhe për Shqipërinë.”- u shpreh ambasadori.
MAPO
Add new comment