Kosovë, deri në orën 15:00 kanë votuar mbi 33%

UPDATE- Pjesëmarrja në zgjedhjet lokale në gjithë territorin e Kosovës, deri në orën 15:00, ka arritur në mbi 33 për qind, bëhet e ditur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Një vëmendje e posaçme po i kushtohet situatës në veri, prej nga raportohet për disa pengesa.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha për Radion Evropa e Lirë se disa grupe të caktuara në veri, “nuk janë duke lejuar qytetarët që lirshëm të shprehin vullnetin e tyre qytetar për të votuar”.
Daka tha se “para dhe gjatë fillimit të hapjes së vendvotimeve komisionarë janë penguar në punën e tyre”.
“Për këtë gjendje janë informuar edhe Policia e Kosovës edhe institucionet e tjera relevante. Mirëpo, do ta njoftojmë edhe Bashkimin Evropian, edhe misionin e OSBE-së, edhe pse OSBE-ja është e informuar, sepse është në pjesën veriore”, u shpreh ajo.
Zonja Daka tha se me gjithë ato reagime nga grupe të caktuara, komisionarët janë duke qënderuar në vendvotime.
“Ata janë aty në këshillat e vendvotimeve, janë brenda, janë duke punuar dhe do ta shohim më tutje situatën”, deklaroi Daka.
***
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka bërë të ditur se deri në ora 11 në tërë territorin e Kosovës kanë votuar 12.03 për qind e votuesve.
Nga Policia e Kosovës njoftohet 11 persona deri më tani janë ndaluar dhe janë shoqëruar për raste të ndryshe.
Kryetarja e Komisionit të KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se kanë informata se ka grupe të personave të paautrozuar të cilët bëjnë thirrje për bojkot në veri dhe kërcënojnë qytetarët atje, njofton Zëri. “Ka patur tentime që të mos hapen vendvotimet por megjithatë ato janë hapur”, ka thënë Daka.
***
Pas një muaj fushatë elektorale rreth 1 milion e 779 mijë e 357 votues kosovarë, të ndarë në 38 komuna i drejtohen sot kutive te votimit per te zgjedhur drejuesit e tyre lokal.
Gara më e forte është zhvilluar për Prishtinën dhe fitoren në kryeqytet pothuajse e kanë deklaruar të gjithë garuesit për kryetar të Komunës gjate nje muaj fushate
Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në veri, Besim Hoti, tha për Radion Evropa e Lirë se gjendja e sigurisë në veri është kryesisht e qetë. Megjithatë, ai bëri të ditur se në tri lokacione në afërsi të qendrave të votimit, disa qytetarë janë duke bërë thirrje për të bojkotuar procesin e votimit.
“Së paku në tri lokacione të ndryshme të qendrave të votimit kemi grupe të qytetarëve, të cilët thërrasin për bojkotim të këtyre zgjedhjeve. Këta persona po qëndrojnë në një distancë më të largët nga qendrat e votimit dhe nuk kemi të bëjmë me bllokim të hyrjeve drejtpërdrejt me qendrat e votimit, por vetëm me shprehje të pakënaqësisë së tyre me këtë aspekt të votimit. Thjesht, ata thërrasin njerëzit për bojkotim të këtyre zgjedhjeve”, tha Hoti.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, janë hapur qendrat e votimit.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se procesi i votimit është duke shkuar mirë, me përjashtim të një qendre votimi në veri të Mitrovicës.
“Është vetëm një vendvotim në Mitrovicën veriore, i cili për disa shkaqe teknike nuk është hapur ende; ndryshe të gjitha qendrat e votimit janë hapur”,deklaroi Daka në takimin e parë për sot me gazetarët.
Kryetareja e KQZ-së tha se deri me tash nuk ka raportime për incidente apo
parregullsi eventuale.
Sipas të dhënave zyrtare të prezantuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në garën për t’u zgjedhur kryetar në 38 komuna të Kosovës, janë 224 kandidatë, kurse për asambelistë komunalë garojnë 7,704 kandidatë.
Lista përfundimtare e votuesve 2013 përmban 1, 779 357 emra të votuesve të ndarë në tridhjetetetë komuna, me një rritje prej 191 103 apo 11.72 për qind në krahasim me zgjedhjet e kaluara.
Numri i qendrave të votimit është 798 (52 qendra të reja të votimit nga ato që kanë qenë në zgjedhjet e kaluara), ndërsa numri i vendvotimeve është 2, 366, me një rritje prej 86 vendvotimesh nga zgjedhjet e kaluara.
Gjithashtu lista e votuesve jashtë Kosovës 2013, përmban të gjithë votuesit të regjistruar suksesshëm. Numri i përgjithshëm i votuesve jashtë Kosovës është 8, 383.
Panorama
Add new comment