Korrupsioni në drejtësi, arrestohen ish-prokurori i Pukës, ish-kancelarja dhe sekretarja e gjykatës

Ish-prokurori i Pukës, Pëllumb Premçi, Sekretarja e Gjykatës së Pukës, Liljana Shkjau dhe kancelarja Meliha Kuka u arrestuan nga policia nën akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.
Tre personat e prangosur, pjesë e videove investiguese të transmetuara nga “Fiks Fare” pak ditë më parë, ku tregohej korrupsioni galopant në gjithë hallkat e sistemit të drejtësisë në rrethin e Pukës, do të hetohen nga një Task Force në Tiranë.
Investigimi i “Fiksit” ka nisur tre muaj më parë, kur një qytetar nga Puka denoncoi pranë redaksisë së emisionit zvarritjet dhe padrejtësitë që po i bëheshin në dyert e të ashtuquajturave institucione të drejtësisë së këtij rrethi, pasi ai dhe pesë anëtarë të familjes së tij u arrestuan për pjesëmarrje në një protestë ndaj kompanisë së përpunimit të bakrit në Fushë-Arrëz, “BerAlb”.
Për ndryshimin e masës së sigurisë, për secilin prej të arrestuarve në këtë protestë, shuma që i kërkohej qytetarit ishte 5 milionë lek (të vjetra). Investigimi disa mujor i “Fiks Fare” zbuloi një zinxhir sekserësh, të cilët kërkojnë parà në emër të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Ndërsa ishin paguar për 5 anëtarë të kësaj familjeje, nga 5 milionë lek (të vjetra) për lirimin e secilit prej tyre, sekserë dhe avokatë i kërkojnë para qytetarit në emër të gjyqtarëve për të ndryshuar masën e sigurisë për pjesëtarin e fundit të familjes së tij, që ndodhet në burg.
Shuma përfundimtare për të liruar djalin e tij ishte 6 milionë lek (të vjetra). Në prani të oficerit të policisë gjyqësore, garantohet se prokurorit i janë dhënë paratë.
Në bisedat e transmetuara në “Fiks Fare”, me zë dhe figurë, sekretarja dhe kancelarja e Gjykatës së Shkallës së Parë pranojnë se për lirimin e dy anëtarëve të familjes së qytetarit janë paguar 5 milionë lek (të vjetra) për secilin.
Ngjarjet, që u transmetuan në “Fiks Fare”, i përkasin shkallës së parë të Gjyqësorit. Por skandali merr përmasa akoma më të mëdha, madje deri në Gjykatën e Lartë. “Fiksi” zbardhi strukturën e funksionimit të korrupsionit në Gjyqësorin shqiptar. Me zë dhe figurë u treguan të gjithë personat, që merrnin para dhe premtonin lirimin e të pandehurit. Një strukturë kjo, që funksionon më së miri dhe që finalizohet me lirimin e të arrestuarit të pestë, për ngjarjen e 19 prillit në Fushë-Arrëz.
Risi, e kalvarit të gjatë dyerve të drejtësisë për drejtësi, ishte dalja në skenë e pagesës prej 6 mijë eurosh, apo 840 mijë lekëve (të reja), e kërkuar nga sekseri Dëfrim Premçi dhe avokati Fran Dashi, në emër të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.
Këta dy persona premtojnë lirimin e të pandehurit A. Ndoka, i cili kishte bërë rekurs për ndryshimin e masës së sigurisë në Gjykatën e Lartë. Shuma prej 6 mijë eurosh kërkohet nga këta dy persona, për pesë anëtarët e trupit gjykues të Gjykatës së Lartë.
Gjatë kësaj bisede, babai i të pandehurit këmbëngul të dijë emrin e gjyqtarit, që do t’i garantojë lirinë për djalin e tij.
Dëfrim Premçi dhe avokati Fran Dashi i garantojnë daljen e djalit nga burgu, duke folur ne emër të kryetarit të Gjykatës së Lartë, z. Xhezair Zaganjorit. Për të justifikuar shumën e madhe të parave që marrin, ata tregojnë edhe skemën se si do të shpërndahen këto para tek anëtarët e trupit gjykues të Gjykatës së Lartë. Sipas sekserit Premçi, 2 mijë euro do t’i marrë kryesuesi i trupit gjykues, pra z. Zaganjori, dhe nga 1 mijë euro, katër anëtarët e tjerë të trupit gjykues.
Më pas, Dëfrim Premçi e lidh babain e të pandehurit me një tjetër avokat, Fariz Xhuxhin. Edhe prej këtij avokati, ai merr premtimin e lirimit të djalit nga burgu, por më parë, sipas Xhuxhit, gjyqtarët kërkojnë garancinë, që nuk do të ndodhë më asnjë konflikt mes të pandehurit dhe përfaqësuesve të kompanisë “Beralb”.
Pas sorollatjes nëpër sekserë, babai i të pandehurit drejtohet për në Sekretarinë e Gjykatës së Lartë, ku mëson se rekursi për ndryshimin e masës së sigurisë nuk ishte pranuar nga Gjykata e Lartë dhe se në Pukë filloi procesi gjyqësor për djalin e tij.
Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Pukës, nga po i njëjti gjyqtar, Shtjefën Lleshi, është zhvilluar seanca gjyqësore për lirimin e të arrestuarit të pestë të ngjarjes së 19 prillit në Fushë-Arrëz.
Pas pagesës së 500 000 lekëve, më në fund, edhe i arrestuari i pestë sheh dritën e diellit. Shuma e kërkuar nga gjykatësi dhe nga prokurori, tashmë kalojnë nëpër të tjera hallka, deri në dorëzimin e fundit. Nuk dalin nga skena sekretarja dhe kancelarja, të cilat kanë kërkuar në emër të shefit të tyre 250 000 dhe 50 000 për veten e tyre. Por, paratë për gjyqtarin, kësaj radhe në euro, 1800 euro, janë dorëzuar nga bashkëshortja dhe djali i të pandehurit.
Kurse për prokurorin Pëllumb Premçi është futur në lojë miku i tij nga Lezha, Nard Mardoda, jurist në burgun e Shën Kollit. Në bisedën me familjarët e të arrestuarit të pestë, juristi Mardoda garanton ata se pas pagesës që ata duhet të bënin, së shpejti do ta kishin në shtëpi të afërmin e tyre. Vetë djali i të arrestuarit ka bërë pagesën, ku ka dhënë 250 000 lekë të tjera te juristi i burgut të Shën Kollit, kjo pjesa e prokurorit. Pas marrjes së lekëve është caktuar dita e gjyqit. Më 1 tetor 2013 është gjyqtari Shtjefën Lleshi, ai që ka ndryshuar masën e sigurisë për të pandehurin D. Ndoka, nga arrest në burg pa afat, në detyrim për paraqitje.
Investigimi i “Fiks Fare” ka vazhduar me dëshminë e dy të arrestuarëve të tjerë, në protestën kundër veprimeve të kompanisë “Beralb”, në Fushë-Arrëz. Ata kanë pohuar me gojën e tyre, se kanë paguar njëri 600 mijë lek dhe tjetri 500 mijë lek, për të rifituar lirinë. Gjyqtari dhe prokurori, ku ata kanë dorëzuar paratë për të fituar lirinë, ishin të njëjtët, kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë të Pukës, Shtjefën Lleshi, dhe prokurori Pëllumb Prençi.
Shqip
Add new comment