Kodheli shkarkon krerët e AKSHE e MEICO

Postuar në 20 Tetor, 2013 05:33

Ndryshohen drejtuesit e dy prej institucioneve më të sulmuara nga socialistët për tregtinë e armëve. Mirela Roshi në krye të Kontrollit të Import-Eksporteve të Armëve.

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ka shkarkuar dy prej titullarëve të institucioneve më të përfolura të këtij dikasteri. Ajo ka liruar nga detyra kryetarin e Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKSHE), Erald Dervishi, dhe drejtorin e Ndërmarrjes Shtetërore të Import-Eksportit të municioneve ushtarake (MEICO), Granit Leka. Të dyja institucionet kanë qenë pjesë e sulmeve politike të socialistëve kur ishin në opozitë dhe janë akuzuar nga të majtët për trafik të jashtëligjshëm të armatimeve luftarake dhe municioneve më vendet që ishin në listën e zezë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Në një muaj kohë në krye të këtij institucioni, ministrja e Mbrojtjes i ka zëvendësuar dy titullarët e emëruar që në kohën e ishministrit demokrat, Arben Imami. Konkretisht, kryetare e Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksportit të Armëve është emëruar avokatja Mirela Roshi, në vend të Erald Dervishit. Ndërsa në krye të MEICO-s është emëruar Martin Lazeri, i cili ka zëvendësuar ish-drejtorin Granit Leka.

TITULLARËT
Kryetarja e re Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksportit të Armëve, Mirela Roshi, ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë dhe prej 7 vitesh ushtron aktivitetin si avokate. Në CV-në e publikuar në faqen zyrtare të AKSHE thuhet: “Eksperiencat e saj të mëparshme në administratën shtetërore kanë qenë: këshilltare ligjore pranë Autoritetit Shëndetësor Rajonal, Tiranë (ASHR); juriste pranë Drejtorisë Juridike në Ministrinë e Brendshme; përfaqësuese ligjore në Drejtorinë e Hartimit dhe Draftimit të Ligjeve në Ministrinë e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit (MPVD) dhe këshilltare ligjore dhe menaxhere marketingu dhe hotelerie në hotel ‘Dajti’”.

Roshi ka zëvendësuar shahistin e njohur të qytetit të Durrësit, Erald Dervishi, i cili është i njohur për çmimet e fituara në sportin e shahut. Ndërkohë, drejtori i ri i Ndërmarrjes Shtetërore të Import- Eksportit të Municioneve, Martin Lazeri, e ka filluar detyrën në këtë institucion prej disa ditësh. Në faqen zyrtare të MEICO-s ende nuk janë publikuar të dhënat e titullarit të ri, i cili zëvendëson në këtë detyrë Granit Lekën, që e drejtonte këtë institucion që prej vitit 2008, pas shkarkimit të ish-drejtorit Ylli Pinari, i përfshirë në skandalin e shpërthimit në Gërdec. Ministrja Kodheli ka emëruar dhe shefin e ri të kabinetit, Gjergj Teneqegji, që ka qenë drejtor i buxhetit dhe sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave kur ajo drejtohej nga Arben Malaj.

Panorama

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.