Kaos në Agjencinë e Kthimit të Pronave/ 7 mijë dosje të qytetarëve po kalben në rafte

Postuar në 20 Tetor, 2013 05:19

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave është në një kaos të vërtetë, pasi 7 mijë dosjet e qytetarëve që kanë aplikuar për të zgjidhur çështjen e pronës kanë krijuar një mal me dokumente, ndërsa nuk u është dhënë asnjë zgjidhje.

Kërkesat e qytetarëve kanë përfunduar prej vitesh në raftet e pluhurosura të Agjencisë.

“Situata është mjaft kritike, sepse jemi në një gjendje, ku aplikimet e kryera janë në të njëjtin nivel. Pra, 7 mijë dosje të aplikuara pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ende mbeten në një numër të tillë dhe sot e kësaj dite”, thotë Sonila Qato, drejtoreshë e AKKP.

Ligji e detyron Agjencinë që çdo kërkese për kthim apo kompensim pronash, t’i jape përgjigje brenda tre muajsh nga data e aplikimit.

“Evidentohen që dosjet janë prej vitesh të tëra. Pra, mund të gjejmë dosje të vitit 1995, ashtu sikurse kemi dosje të fundit”, thotë Qato.

Shkelja e ligjit dhe zvarritja shumëvjeçare e kthimit të pronave, veç kaosit të krijuar ka nga pas edhe dëm financiar, të cilin e paguajnë qytetarët. Fatura e gjyqeve që Qeveria humb me pronarët në Strasburg vazhdon të rritet çdo ditë duke rënduar financat e drobitura të vendit.

Drejtoresha Qato thotë se përballë kësaj situate, Qeveria po përgatit një sërë masash që do të nisin me reformimin e të gjithë institucioneve përgjegjëse për pronat.

“Së pari, duhet të realizohet me pa diskutim një hartë e hedhjes dhe të gjitha vendimeve të kthimit dhe kompensimit të pronave në vite. Ende mungon një hartë dixhitale, ku të mund të pasqyrojë të gjitha llojet e vendimmarrjes bërë nga Agjencia. Sikurse duhet të evidentojmë të gjitha vendimmarrjet që janë bërë të mbivendosura gjatë viteve mbi pronat, të cilat kanë kërkuar për t’u kthyer dhe kompensuar,” tha Qato.

Banka Botërore dhe institucionet e tjera ndërkombëtare prej vitesh i kanë bërë thirrje Qeverisë të zgjidhë kaosin me pronat, që sipas tyre dekurajon investimet e huaja dhe frenon zhvillimin ekonomik të vendit.

Tema

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.