Kanceri i gjirit, Rama: Vajzat dhe gratë të ndërgjegjësohen për rrezikun

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në konferencën e zhvilluar kundër kancerit të gjirit. Me moton “Kanceri i gjirit mund të luftohet, mjafton të duash”, takimi ndërkombëtar është zhvilluar në hotel “Tirana” me rastin e 21 tetorit, ditës botërore të Depistimit të Kancerit të Gjirit.
Në fjalën e tij kryeministri Rama apeloi për kontrolle të shumta për të fituar betejën kundër kësaj sëmundje të rëndë. “Unë besoj se s`ka arsye që ne të gjithë të mos angazhohemi në mënyrë të ndryshme përtej kësaj date të veçantë botërore për të rritur nivelin e informimit dhe për t’i informuar gratë dhe vajzat që janë çdo ditë të kërcënuara nga kjo sëmundje. Qeveria, organizma të ndryshme joqeveritare dhe aktorë të tjerë, duhet të angazhohemi për të rritur nivelin e informimit për kancerin e gjirit, dhe për të ngulitur në vetëdijen e grave rrezikun e kësaj sëmundje, dhe rëndësinë e kontrolleve të shpeshta. Të gjitha gratë dhe vajzat duhet ta mësojnë se kanceri i gjirit është i parandalueshëm dhe i shërueshëm, përpara se të shtrijë rrënjët në gjirin e gruas. Është një reflektim, për numrin e lartë të vdekjeve nga kjo sëmundje, dhe rëndësinë e depistimit të saj në fazë të hershme”, tha Rama.
Sipas kryeministrit Rama, kjo sëmundje mund të luftohet dhe media ka luajtur rolin e saj duke treguar raste të ndryshme të grave dhe vajzave të prekura. Rama tha se vajzat dhe gratë duhet të ndërgjegjësohen për rrezikun që i kanoset dhe të mos presën që kërcënimi të vij nga brenda trupit të vet.
“Eksperiencat e kancerit të gjirit që janë reflektuar edhe në shtyp, siç është rasti i asaj infermieres që ka pak ditë jetë, por që nuk e lë punën pasi i jep forcë për të shapërtuar jetë njerëzish. Këtë fuqi duhet ta shfrytëzojmë si burim energjie për t’u bërë krah në betejën me sëmundjen. Sipas treguesve ne na duhet kjo fuqi për të qenë në lartësinë e sfidës për të mos u kujtuar për të vetëm në këtë ditë por duke e kthyer parandalimin në një obsesion. Siç shkruhet në fushatën sensibilizuese kanceri është një fjalë dhe jo një fjali ku fjalinë secili e bën vetë. Çdo shoqëri e ka në dorë vetë fjalinë për kancerin. Kanceri mund të jetë një fjalë e evituese nëse secili bën diçka që çdo vajzë dhe grua të ndërgjegjësohet për rrezikun që e kërcënon dhe të mos presë që kërcënimi të vij nga brenda trupit të vet”, u shpreh Rama.
Shekulli
Add new comment