Hetimi ndaj Zana Xhukës, debate të ashpra në Komisionin e Ligjeve

Postuar në 13 Nëntor, 2013 03:44

Hetimi ndaj Zana Xhukës, debate të ashpra në Komisionin e Ligjeve
13 Nëntor 2013 | : Kryesoret,Politikë | Autor: Bledar Hoti

PD bojkoton votimin: Po shkelni ligjin. Fino: Nuk ka nevojë për grup hetimor ta shkarkojmë

BLEDAR HOTI

Demokratët dhe socialistët u përplasën në Komisionin Parlamentar të Ligjeve për kërkesën për ngritjen e grupit për kryerjen e kontrollit në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI). Nisma për të krijuar një grup kontrolli nisur nga një sensibilitet i krijuar në këtë institucion u pasua me lëvizjen e Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, tha se janë parashtruar disa shqetësime serioze në adresë të Kuvendit, çështje e cila i ka kaluar komisionit përkatës. “Në këto rrethana, çmohet e nevojshme që këto problematika të verifikohen, të shqyrtohen dhe të trajtohen me seriozitetin e nevojshëm nga Kuvendi, si një organ që me ligj ngarkohet për monitorimin e këtij institucioni”, tha Xhafaj. Opozita në këtë komision e cilësoi si një shkelje e hapur ndaj Rregullores, nismën për të ngritur një komision të kontrollit. “Dy janë mundësitë, ose komision i posaçëm, ose komision hetimor. Ju nuk propozoni asnjë nga këto që parashikon Rregullorja e Kuvendit”, tha Bylykbashi. Deputeti i PD-së, Arben Ristani, u shpreh se nuk ka hasur në asnjë moment një praktikë të tillë. “Ju vazhdoni ta mbani këtë kobure të ngritur mbi kokë ndaj institucioneve, po kam frikën se do t’ju bjerë juve kokës”, tha Ristani. Deputeti i PS-së, Bashkim Fino, ka akuzuar demokratët se janë kundër këtij kontrolli për shkak se kanë frikë se kanë mos dalin zbuluar nga pasuritë e tyre. “Unë nuk kam pse shqetësohem për një akt të tillë, pasi për vete kam deklaruar pasurinë për tetë vite me radhë dhe nuk kam asgjë për të fshehur, i kam të gjitha në rregull. Mendoj se ky kundërshtim vjen nga fakti se keni hallin e pasurive të tuaja, por mendoj se nuk jeni treguar aq budallenj sa të keni deklaruar në mënyrë të gabuar pasuritë. Më pëlqen ky lloj debati nga ana juaj, pasi më duket se duhet të mbroni pasurinë tuaj”, tha Fino. Deputeti socialist hodhi më tej propozimin që të mos ketë fare grup kontrolli pasi zyra e monitorimit të institucioneve e ka deklaruar qartazi se ka shkelje të punës së kryeinspektores Zana Xhuka. “Unë mendoj se ne, mbi bazën e kësaj memoje të paraqitur nga Shërbimi i Monitorimit të Institucioneve të Pavarura, të cilin e vlerësoj së tepërmi, duhet ta çojë në seancë dhe të marrim vendim për shkarkimin e kryeinspektores”, tha Fino. Pas shumë përplasjeve, opozita nuk mori pjesë në votim, duke e bojkotuar mbledhjen. Me 13 vota pro dhe një kundër të deputetit të PDK-së, Nard Ndoka, u miratua ngritja e grupit të kontrollit, pa përcaktuar ndërkohë emrat e deputetëve që do të kryejnë një kontroll të tillë.

Shkeljet e Xhukës

Shërbimi i Monitorimit të Institucioneve të pavarura ka paraqitur një material (MEMO) ku konstatohet shkelje e institucionit që kontrollon paratë e zyrtarëve të lartë dhe të politikanëve. Shkelja kryesore është mënyra se si Kuvendi i dominuar nga PD-ja e zgjodhi drejtuesen e këtij institucioni. “Kriteret e emërimit të inspektorit të përgjithshëm të ILDKPKI-së përcaktohen sipas ligjit se ai zgjidhet kandidati që plotëson kushtet e mëposhtme: b) të ketë arsim të lartë, si ekonomist financiar ose jurist; c) të ketë vjetërsi në profesion jo më pak se 10 vjet dhe moshë mbi 35 vjeç. Rezulton se zonja Xhuka nuk plotëson kriteret e pikës b dhe c të nenit 12 të ligjit. Gjithashtu përvoja prej 10 vitesh në profesion rezulton në detyra të tjera, dhe jo në profesionin e kërkuar sipas ligjit”, thuhet në memo. Gjithashtu janë renditur 7 shkelje të kryeinspektores Xhuka që lidhen me vonesë në hedhjen e shortit për kontrollin rastësor të zyrtarëve, apo dhe në mos bërjen publike pasurive të politikave.

Tabela
Shkeljet e Xhukës sipas Kuvendit
Vonesa në shortin e përvitshëm, për përzgjedhjen rastësore të subjekteve deklarues që kalojnë kontroll të plotë për vitin 2013.
Mosdhënia e fotokopjeve të deklaratave të pasurisë, medias dhe publikut. Kujtojmë se transparenca në këtë institucion ka qenë objekt thelbësor dhe pjesë e detyrimeve ligjore.
Mospërfundimi dhe mospublikimi i dosjeve të kaluara për kontroll të plotë për shkak të funksionit që në shtator të 2012 të subjekteve.
Mosbërja transparente e masave konkrete: gjobë apo kallëzim penal lidhur me deklaratat e pasurisë të vitit 2012.
ILDKPKI nuk ka kryer kontrollin dhe hetim administrativ për 1/6 e deklaratave të depozituara.
Nuk ka asnjë të dhënë për fillim të hetimit administrativ dhe deklarim me kërkesë deri më tani.
Afatet e hetimit administrative që zbaton ILDKPKI, i referohen Kodit të Procedurës, pra 3 muaj dhe 6 muaj, në raste të veçanta. Këto afate tashmë janë tejkaluar.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.