Gruaja e vetme masakrohet në banesë, i marrin tapitë

Nga Saranda/ Laureta Roshi
-Sarandë/ Ishte “zhdukur” prej dy ditësh, ndërsa e bija i telefononte nga Athina, pa marrë përgjigje. Askush nuk e kishte parë, ndërsa telefoni i saj rezultonte i fikur. Mbrëmjen e së mërkurës, vajza është dorëzuar, ka telefonuar të afërmit e tjerë të saj dhe iu ka kërkuar informacion në lidhje me vendndodhjen e nënës. Askush nuk ka mundur të shpjegojë zhdukjen e saj, që të hënën mbrëma. Për pasojë e bija u ka kërkuar njerëzve të saj të shkojnë deri te shtëpia, të shikojnë nëse gjendet aty. Në shtëpinë e gruas askush nuk është përgjigjur, madje as qeni i saj. Atëherë janë rritur dyshimet për ndonjë vdekje natyrale. Marangozi i pallatit ka thyer derën e banesës me forcë. Ka hyrë brenda bashkë me njerëz të afërm të gruas dhe janë përballur me gjurmë gjaku në të gjithë shtëpinë. Është kërkuar trupi nëpër shtëpi, por nuk është gjetur, atëherë është thyer edhe dera e banjos dhe në pllakën e dushit është gjendur trupi i masakruar dhe i pajetë i 55-vjeçares, Shpresa Telha. Ngjarja e rëndë është zbuluar rreth orës 23.00 të së mërkurës, ndërsa policia ka nisur hetimet e menjëhershme. Për gjatë gjithë ditës së djeshme grupi hetimor është shprehur tejet i rezervuar, ndërsa është një funksionar i policisë lokale që jep shpresë: Për punë orësh do të jenë në pranga autorët e kësaj ngjarjeje.
Zbulimi i kufomës
Mesnatën e së mërkurës, sipas deklarimeve të vëllait Maliqit dhe nipit Artanit, vajza e vetme e Shpresës, Eleni, kishte telefonuar nga Greqia e shqetësuar se nëna e saj nuk përgjigjej në telefon. Të afërmit që kanë kryer edhe një kontroll në banesë, kanë parë që në të vërtet në shtëpinë e saj ishin zhdukur thuajse të gjitha dokumentet që i përkisnin. Janë gjetur edhe shenjat e vrasjes së qenit të saj, ndërsa vrasësi, pasi ka lënë viktimën e tij në banjë, ka mbyllur derën me çelës. Të njëjtin veprim ka bërë edhe me derën e apartamentit, ndërsa është zhdukur edhe telefoni celular i viktimës. Policia, fillimisht, ka bërë ekspertimin e gjurmëve, më pas është ushtruar kontroll i imtësishëm në shtëpinë e 55-vjeçares. Vrasësi, i cili, duket se ka patur gjithë kohën e mjaftueshme për të zhdukur gjurmët, sipas llogarive të veta, ka mundur të rrëmbejë çantën e gruas me të gjithë dokumentacionin e saj. Familjarët dhe policia nuk kanë mundur të gjejnë asnjë lloj dokumenti identifikimi të saj në banesë. Gruaja, thuhet se zotëronte prona të shumta, të cilat konsideroheshin prona të paluajtshme, ndërsa shumë prej tyre rezultonin të dhëna me qira.
Në shtëpinë e viktimës...
Në banesën e Shpresës, në katin e gjashtë të një pallati të ri, pas “Hotel Butrintit”, me derën e hapur kunata Teuta dhe Dhurata Jakupi, të afërmet që kanë pastruar banesën nga gjaku. Të tronditura rrëfejnë se duket vrasje e bërë me “nge”. Vrasësi ka patur kohë ta masakrojë viktimën dhe ta mbyllë në tualet. Në muret e kuzhinës, në kolltukun në krah të televizorit, në dërrasën e komosë gjaku është ende i kuq në njolla. Gjak ka dhe në vijat mes pllakave të lara, ndërsa tregojnë se trupi u gjet në vaskën e vogël të dushit me duart lart. Dyshemeja e kishte një gisht të trashë shtresën e mpiksur të gjakut. Gjurmët e masakrimit kanë tronditur dhe shokuar marangozin që shpërtheu derën dhe të afërmit që e shoqëronin. Në shtëpi kanë qenë gjurmët edhe të vrasjes së një koneje që gruaja e mbante përherë me vete, në shëtitjet e saj mëngjeseve dhe mbrëmjeve. Në kafenetë përballë pallatit që i ka banorët e rrallë, tregojnë se ajo ishte një grua e qeshur me orare të rregullta hyrje-daljeje dhe përherë në shoqërinë e qenit të saj.
Kush ishte Shpresa Telha
Viktima Shpresa Telha jetonte mes Athinës dhe Sarandës, vendlindjes. Në të dy qytetet kishte banesën e saj, madje në Sarandë ka dhe një lokal afër shatërvanit, ku punon i nipi me qira. Ky lokal ka qenë pjesë e një kalvari gjyqësor si trashëgimi nga shtëpia e vjetër e Telhave. Ajo, pas divorcit në Tiranë, si dhe vajza e saj Klotilda Zuna – Eleni, fëmija i vetëm, qëndronin në lagjen Kalithea në Athinë. Në Tiranë në shtëpinë e tyre ka qiraxhinj. Kështu me këto të ardhura kishte blerë apartamentin dhomë, paradhomë, ku edhe u gjend e vrarë. Të afërmit tregojnë se Shpresa jetonte vetëm, nuk kishte ndonjë lidhje me ndonjë burrë, të paktën nuk njihej në publik. Madje fqinji i tyre, një kat më poshtë, Kristo Papa, i pyetur pas zbulimit të krimit, tregon se ajo dilte rregullisht me qenin në orën 08.00 të mëngjesit dhe njihej si një tip i komunikueshëm dhe përshëndetës.
Pas vrasjes, grabiten dokumentet
E vetëvrarë, u shpërnda si fillim lajmi, më pas dolën komentet e para për zhdukjen e çantës me dokumente, për mungesën e çdo mjeti identifikimi në banesë, asnjë faturë me emrin e saj, asnjë foto në mure. Të gjitha rezultonin të zhdukura. Gjithçka kishte mbetur ishte një shtrat dopio dhe një komo e rrëmujshme në dhomën e gjumit, disa kolltukë të vjetër dhe një ekran televizori në paradhomën kuzhinë. “Ajo ka qenë e veshur, madje dhe me shapka. Në mes të dhomës gjetëm dhe një kapëse flokësh të prishur, duket që janë përplasur me agresorin, pastaj e ka vrarë me diçka të mprehtë dhe shumë gjak ka rrjedhur”, tregon kunata. Shtëpia e hapur për mort, me gjurmët e gjakut të freskëta për dy ditë-netë ka mbajtur krimin të paprekur, dhe ndërsa ekspertët hetojnë mbi vrasjen, familjarët përgatiten për varrimin. Nga Athina ka mbërritur vajza e saj, që punon atje si kameriere, herë me punë e herë jo. Trashëgimia e nënës i mbante ekonomikisht. Pista e grabitjes rrëzohet nga të afërmit, pasi ajo nuk mbante lekë me vete, i mbyllte në arkë, thotë kunata. Ajo shton se mënyra e jetesës aty ishte më shumë se e thjeshtë. Mobilje e enë të pakta shumë të përdorura. Në pallatin e ri thuhet se ka dhe roje, ka pak banorë. Kristo Papa, fqinji, tregon se as e ka marr vesh që ajo ka vdekur, thjesht ka parë shumë lëvizje policësh në katin lart. Në kafenetë përballë pallatit të ri të thonë se ajo ishte një grua që përshëndeste, e veçantë në veshje me ngjyra dhe një lule në kokë. Gruaja ishte divorcuar me ish-bashkëshortin prej rreth 20 vitesh. Ish-burri mësohet se jeton në Tiranë. Ai është përpjekur të krijojë jetën e tij, ndërsa me të Shpresa kishte të trashëguar vajzën e saj të vetme.
Hetimet: Dyshime se vrasja ka motive pronësie
Një grup i posaçëm hetimor është ngritur për të hetuar mbi ngjarjen e rëndë dhe të paprecedentë. Në vendin e ngjarjes janë bashkuar një sërë gjurmësh, janë vënë në lëvizje ekspertë të hetimit, ndërsa policia dhe prokuroria ka realizuar dokumentimin e dhjetëra dëshmive. Policia ka vepruar dhe punuar përgjatë gjithë orëve të natës duke u zbardhur e dita e djeshme. Në ciklin e dëshmive nuk përjashtohet asnjë prej personave që kanë lidhje gjaku dhe farefisnore me viktimën, ndërsa sipas të dhënave, ende nuk është bërë dokumentimi i dëshmisë së njerëzve të afërt të saj. Policia duke parë edhe vendin në të cilin ishte vendosur trupi i pajetë i gruas, gjurmët e gjakut nëpër të gjithë shtëpinë, ka krijuar edhe mekanizmin e vrasjes. Vrasësi, i cili dyshohet se është një person i vetëm, ka patur kohën e mjaftueshme të veprojë, pasi gjitha shtëpia është e mbushur me gjurmë gjaku. Autori ka shfrytëzuar për t’i marrë jetën gruas një mjet mprehës, që dyshohet se është sqepar, por “arma” nuk është gjendur në banesën e viktimës. Policia ka arritur në konkluzionin se vrasësi nuk ka tentuar ta zhveshë gruan, pasi ajo është gjendur me rroba shtëpie e veshur në momentin e zbulimit, fakt ky që përjashton vrasjen për motive xhelozie. Ndërsa policia ka arritur në përfundimin se vrasja mund të jetë kryer mbrëmjen e së hënës, duke llogaritur kohën që i është dashur autorit të zhduk gjithë dokumentet e gruas, bashkë me telefonin dhe madje ekspertët kanë parë se vrasësi është kujdesur të mos lërë as gjurmë këmbësh me gjak në dyshemenë e shtëpisë. Por, grupi hetimor ka bërë me dije se në vendin e ngjarjes janë gjetur gjurmë të mjaftueshme për të shkuar tek autori i këtij krimi makabër.
SHEKULLI
Add new comment